Dy persona kanë humbur jetën në Japoni, ndërsa 275 fluturime janë anuluar dhe rreth 1.6 milionë banorë janë nxitur të largohen nga zonat e rrezikuara, pas goditjes së tajfunit Dujuan. Shirat e fuqishëm shkaktuan përmbytje dhe rrëshqitje dheu pranë Tokios.
Të lidhura
None found
Viktimat u shënuan në prefekturat Chiba dhe Kanagawa, ku rrëshqitjet e tokës u shkaktuan nga reshjet intensive. Autoritetet japoneze e konfirmuan informacionin, sipas raportimeve të mediave vendase, përfshirë agjencinë Kyodo.
Të martën në mëngjes, stuhia u largua nga bregu dhe mori drejtim verilindor mbi arkipelag, ndërsa intensiteti i erërave shënoi një dobësim të lehtë, bëri të ditur Agjencia Meteorologjike e Japonisë (JMA).
Kur ndodhej rreth 130 kilometra në jug të Katsurës, pranë Tokios, Dujuan prodhonte erëra me shpejtësi deri në 144 kilometra në orë. Mbi 9,000 familje në Chiba, Saitama, Shizuoka dhe zona të tjera pranë rajonit metropolitan të kryeqytetit mbetën pa energji elektrike.
JMA lëshoi paralajmërime për rrëshqitje dheu në Tokio, si dhe në prefekturat Chiba, Kanagawa dhe Shizuoka.
“Reshjet e shiut mund të vazhdojnë” ndërsa sistemi i stuhisë zhvendoset drejt veriut, deklaroi për gazetarët Takuya Hosomi nga JMA.
Udhëzimi për evakuim iu drejtua më shumë se 1.6 milionë banorëve të kryeqytetit dhe zonave përreth, veçanërisht atyre që jetojnë në territore të cenueshme. Megjithatë, këto këshilla nuk kanë karakter të detyrueshëm në të gjithë vendin.
Përveç dy viktimave, autoritetet raportuan edhe një person të lënduar lehtë dhe dëmtime në nëntë banesa.
Fotografi të shpërndara në rrjetet sociale treguan rrugë të mbuluara nga uji pranë stacionit hekurudhor të Kamakurës, një zonë turistike. Kryetari i bashkisë, Takashi Matsuo, tha se shumë pjesë të qytetit ishin përmbytur dhe paralajmëroi se lëvizja me automjete ishte e rrezikshme.
Japan Airlines pezulloi 135 fluturime, ndërsa All Nippon Airways anuloi 140 fluturime të brendshme. Ndërkohë, disa kompani hekurudhore ndaluan shërbimet në linja të ndryshme në Tokio dhe rrethinat e tij.
Një ditë më herët, të dielën, JMA kishte paralajmëruar se reshjet dhe erërat do të forcoheshin përpara se tajfuni të arrinte në tokë. Agjencia vlerësoi se sasia e përgjithshme e shiut deri të martën mund të tejkalonte mesataren e të gjithë muajit shtator dhe të shënonte një rekord të ri.
Kushtet e këqija atmosferike çuan edhe në anulimin e disa veprimtarive, mes tyre dita e fundit e Tokyo Game Show, një festival muzikor i zhvilluar në ambient të hapur dhe një ndeshje bejsbolli.
Raportime për përmbytje pati gjithashtu në disa zona të Ichikawas, në lindje të kryeqytetit japonez.
