Procesi i zgjedhjeve parlamentare në Rusi ka përfunduar, ndërsa rezultati pritet të riafirmojë epërsinë e presidentit Vladimir Putin dhe të partisë që e mbështet, Rusia e Bashkuar.
Të lidhura
None found
Votimi u zhvillua për tre ditë në të 11 zonat kohore të vendit, si dhe në ambasadat e konsullatat ruse në shtete të tjera.
Në zgjedhjet e mëparshme parlamentare, të mbajtura në vitin 2021, Rusia e Bashkuar siguroi 324 prej 450 vendeve në Dumën e Shtetit, dhoma e ulët e parlamentit të Rusisë.
Edhe pse emri i tij nuk figuron në fletën e votimit dhe nuk është pjesë e partisë, Putin ka një lidhje të drejtpërdrejtë politike me të, pasi e drejtoi atë nga viti 2008 deri në vitin 2012. Zgjedhjet e ardhshme presidenciale janë planifikuar për vitin 2030, ndërsa në vitin 2024 Putin fitoi me rreth 88.5% të votave.
Gara u zhvillua në një mjedis ku opozita e besueshme, sipas burimeve të pavarura të cituara nga CNN, është pothuajse e zhdukur. Kundërshtarët e Kremlinit janë nxjerrë jashtë procesit, janë burgosur ose kanë kërkuar strehim jashtë Rusisë.
Organizata e pavarur ruse për të drejtat e njeriut OVD-Info vlerëson se më shumë se 2,000 njerëz ndodhen aktualisht pas hekurave për motive politike.
Yabloko, e vetmja parti e regjistruar që kundërshton luftën në Ukrainë, nuk u lejua nga Gjykata Supreme ruse të paraqitej me listë kombëtare. Disa prej kandidatëve të saj morën leje për të garuar në zona të caktuara njëmandatëshe, por partia tha se përfaqësuesit e saj u përballën me kufizime dhe presion.
Sipas Yablokos, një vëzhgues i saj humbi ndjenjat pasi u ndalua në një qendër votimi në Shën Petersburg. Partia raportoi gjithashtu se vëzhgues të tjerë nuk u lejuan të hynin në qendrat e votimit.
Kremlini pritet ta paraqesë rezultatin si një tregues të mbështetjes popullore për presidentin Putin dhe për luftën në Ukrainë, të cilën autoritetet ruse e përkufizojnë ende si “operacion special ushtarak”.
Para hapjes së kutive, Putin u kërkoi qytetarëve të tregonin unitet duke marrë pjesë në zgjedhje.
Pjesëmarrja, krahas rezultatit të partive, shihet nga vëzhguesit si një nga të dhënat më të rëndësishme për të matur mbështetjen e qytetarëve ndaj kursit politik të vendit dhe luftës në Ukrainë.
Vëmendje të veçantë gjatë këtyre zgjedhjeve mori edhe shtrirja e votimit elektronik, i cili u shoqërua me incentiva të destinuara për votuesit.
Ndërsa kritikët kanë shprehur prej kohësh dyshime për transparencën e votimit online, autoritetet ruse i kanë mohuar akuzat dhe deklarojnë se gjithçka po kryhet në përputhje me ligjin.
Vetë Vladimir Putin votoi përmes internetit, ndërsa Kremlini publikoi pamje ku ai shfaqej duke përdorur platformën elektronike.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi për vështirësi teknike dhe ndërprerje të sistemit elektronik në Moskë. Kryetarja Ella Pamfilova tha se problemet erdhën si pasojë e një sulmi të gjerë kibernetik.
Votimi u mbajt në një kohë kur luftimet në Ukrainë vijonin. Autoritetet ukrainase i konsideruan të paligjshme zgjedhjet e organizuara nga Rusia në territoret ukrainase të pushtuara, ndërsa gjatë ditëve të procesit të dyja palët vazhduan sulmet me dronë dhe raketa.
