Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, bëri të ditur se sot është nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit me Kolegjin Publik Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë (IBCM). Marrëveshja synon të krijojë mundësi të reja për zhvillimin akademik dhe profesional të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në bazë të këtij bashkëpunimi, ushtarakët e FSK-së do të kenë mundësi të ndjekin studime universitare dhe programe masteri në gjuhën angleze. Fushat e përfshira janë menaxhimi, administrata publike, psikologjia, teknologjia, menaxhimi mjedisor, menaxhimi ndërkombëtar dhe qëndrueshmëria.
Të lidhura
None found
Marrëveshja parasheh gjithashtu zhvillimin e trajnimeve, seminareve, punëtorive dhe projekteve të përbashkëta mes dy institucioneve. Përmes tyre synohet shkëmbimi i njohurive e përvojave, si dhe forcimi i mëtejshëm i aftësive profesionale dhe menaxheriale.
Maqedonci ka theksuar se ndërtimi i ushtrisë nuk lidhet vetëm me përgatitjen dhe aftësitë ushtarake, por edhe me edukimin, udhëheqjen, profesionalizmin dhe aftësinë për të menduar në mënyrë strategjike. Sipas tij, investimi në arsimimin dhe përparimin profesional të ushtarakëve përbën investim të drejtpërdrejtë në fuqizimin e FSK-së dhe në të ardhmen e sigurt të Republikës së Kosovës.
Ministri e ka vlerësuar memorandumin si një hap tjetër të rëndësishëm në krijimin e një force moderne, profesionale dhe të gatshme për përballimin e sfidave të së ardhmes.
