Libri “Swan Swan: Diana, Motra Ime”, i shkruar nga Charles Spencer, pritet të sjellë dëshmi të reja për familjen mbretërore britanike dhe ngjarjet që pasuan vdekjen e Princeshës Diana.
Konti Spencer paraqet në këtë vepër hollësi të panjohura më parë nga raporti i tij me mbretin Charles, i cili në atë periudhë mbante titullin Princ i Uellsit. Ai ndalet gjithashtu te mosmarrëveshja mes tyre për organizimin e funeralit të Dianës.
Të lidhura
None found
Një nga pikat e debatit ishte përfshirja e William dhe Harry në kortezhin mortor. Spencer thotë se kundërshtoi që dy djemtë e Dianës, atëherë përkatësisht 15 dhe 12 vjeç, të ecnin publikisht pas arkivolit të nënës së tyre, pasi besonte se ajo nuk do të kishte dashur që fëmijët të përballeshin me një sprovë të tillë.
Nga ana tjetër, sipas versionit të Spencerit, Princi Charles këmbëngulte që të dy djemtë të ishin pjesë e procesionit. Si argument, ai përmendi se edhe vetë kishte ecur pas arkivolit të xhaxhait të tij, Lord Mountbatten, në vitin 1979.
Gjatë një bisede telefonike, Spencer i vuri në dukje Charlesit se në atë rast ai kishte qenë 30 vjeç, ndaj përvoja e tij nuk mund të barazohej me situatën e dy djemve të Dianës.
Autori shkruan se diskutimi u përshkallëzua dhe, në kulmin e tensionit, Charles i tha: “Ji i sigurt, do ta harrojmë së shpejti”.
Spencer rrëfen se mbeti i tronditur nga kjo fjali. Para se të ndërpriste telefonatën, ai iu përgjigj: “Nuk mund ta besoj që sapo e the këtë”.
Sipas Kontit Spencer, ky qëndrim tregonte “përbuzjen e tij të shtypur për Dianën”, si edhe shqetësimin e Charlesit për reagimin e jashtëzakonshëm që vdekja e saj kishte shkaktuar në publik.
Ai shpjegon se vendimi për të shkruar “Swan Swan: Diana, Motra Ime” erdhi nga dëshira për të ndrequr ato që i cilëson si “pasaktësi” të përhapura ndër vite rreth motrës së tij.
Princesha Diana vdiq më 31 gusht 1997, si pasojë e një aksidenti automobilistik në Paris. Funerali u mbajt gjashtë ditë më pas, më 6 shtator, në Westminster Abbey, ku Charles Spencer mbajti fjalimin e njohur në nderim të së motrës.
Në procesionin që përshkoi qendrën e Londrës, Spencer eci pas arkivolit përkrah William, Harry, Charles dhe Philip. Ceremonia u transmetua në të gjithë botën dhe vlerësohet se u ndoq nga rreth 2.5 miliardë njerëz.
