Ish-presidenti i Shqipërisë gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Rexhep Meidani, ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës në Hagë, e cila dënoi me 81 vite burg katër drejtues të UÇK-së.
Të lidhura
None found
Meidani kujton se gjatë viteve të vështira të luftës, kur mbante postin e Presidentit të Republikës, Shqipëria hapi kufijtë dhe mbështeti shqiptarët e Kosovës, të cilët dëboheshin nga shtëpitë dhe trojet e tyre prej milicëve dhe forcave paraushtarake të regjimit represiv të Slobodan Millosheviçit.
Ai thekson se represionin ndaj Kosovës e kishte përjetuar edhe më herët, gjatë kohës kur ishte pedagog në Universitetin e Prishtinës, veçanërisht pas vitit 1981. Sipas tij, atëherë pedagogët nuk u lejuan të vijonin leksionet dhe komunikimi me studentët u vështirësua ndjeshëm.
Si politikan dhe Kryetar Shteti, Meidani thotë se pa nga afër përshkallëzimin e dhunës dhe represionit millosheviçian ndaj shqiptarëve të Kosovës, i cili arriti përmasa gjenocidale.
Duke komentuar aktgjykimin e shpallur në Hagë, ai vë në dyshim legjitimitetin e një gjykate që flet në emër të popullit të Kosovës, ndërsa asnjë prej gjyqtarëve nuk është nga Kosova dhe seanca nuk u zhvillua në territorin e saj.
Meidani pyet se në emër të kujt shprehet kjo gjykatë, kur populli që pretendohet se përfaqësohet prej saj nuk ka zë dhe ndikim brenda institucionit, por proteston jashtë tij dhe në sheshet e Kosovës. Ai nënvizon se vendimi është i shkallës së parë dhe se procesi vijon, ndërsa drejtësia e munguar duhet të vendoset në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës dhe jo duke e zhgënjyer atë.
Ish-presidenti shqiptar konsideron të padiskutueshëm kontekstin historik të luftës: Kosova dhe banorët e saj ishin viktima të dhunës së shtetit serb dhe nuk mund të trajtohen si palë e barabartë me agresorin.
Sipas tij, edhe nëse do të ekzistonte përgjegjësi individuale, ajo nuk mund ta zhbëjë këtë realitet historik dhe as të vërë në dyshim lirinë e pavarësinë e Kosovës, të fituara me sakrificën dhe jetët e njerëzve, veçanërisht të të rinjve. Meidani shton se këtë qëndrim e kanë shprehur edhe shumë zëra perëndimorë gjatë ditëve të fundit dhe gjatë krizës së Kosovës.
Meidani shprehet se asnjë vendim gjyqësor nuk mund t’ua mohojë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit vendin që, sipas tij, kanë në një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë kombëtare.
Ai thotë se në një kohë kur liria e Kosovës dhe paqja në rajon ishin ende një ideal i pasigurt, këta katër burra morën përsipër një barrë historike për t’ia sjellë lirinë popullit të tyre, ndërsa asnjë rezultat nuk ishte i garantuar.
Meidani kujton se gjatë mandatit të tij presidencial e kishte parë nga afër rrezikun, përmes pamjeve të dëbimeve me forcë dhe vrasjeve masive. Ai shton se i ka njohur Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin si të rinj, luftëtarë e drejtues të guximshëm, të gatshëm për sakrificë, dhe jo si persona të aftë për veprimtari kriminale, siç përshkruhen sot.
Ai vlerëson se Kuvendi i Kosovës duhet të marrë një qëndrim lidhur me vazhdimin e veprimtarisë së kësaj gjykate, pasi ajo, sipas tij, nuk e njeh popullin e Kosovës si të vetin dhe nuk mund të vazhdojë të flasë në emër të tij.
Meidani shprehet se mendon për katër të akuzuarit dhe familjet e tyre, të cilat prej gati gjashtë vitesh përballen me peshën e këtij procesi. Ai thotë se ata vazhdojnë betejën dhe sakrificën për një Kosovë të lirë dhe se do të jetë pranë tyre, siç ka qenë edhe më parë.
Ai kujton gjithashtu se Shqipëria zgjodhi orientimin perëndimor që në vitet e para të demokracisë dhe se këtë rrugë e ka mbështetur si qytetar dhe si President. Megjithatë, sipas tij, besnikëria ndaj Perëndimit nuk nënkupton heshtje përballë asaj që konsiderohet e padrejtë.
Meidani u kërkon aleatëve perëndimorë të respektojnë, në çdo rast dhe ndaj çdo populli, pavarësisht madhësisë së tij, parimet mbi të cilat është ndërtuar demokracia: lirinë, barazinë dhe drejtësinë për të gjithë pa përjashtim.
Në përfundim, ai deklaron se dënimet duhet të kundërshtohen deri në shkallën e fundit, duke përdorur çdo mjet ligjor në dispozicion. Sipas tij, Kuvendi i Kosovës e ka për detyrë të vendosë që Gjykata Speciale, në formën e saj aktuale, nuk duhet të vazhdojë të flasë në emër të një populli që nuk e njeh si të vetin.
