Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka shprehur bindjen se ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të dalin të pafajshëm nga gjykimi i sotëm në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Të lidhura
None found
Në një postim të bërë mbrëmë, disa orë përpara shpalljes së vendimit, Berisha e përshkroi 16 shtatorin si një datë të veçantë dhe theksoi se, sipas tij, gjatë gjithë procesit gjyqësor nuk është paraqitur asnjë provë që të vërtetojë akuzat.
Ai shkroi të martën në mbrëmje se gjykata në Hagë, pas një procesi që ka zgjatur gjashtë vjet, do të shpallte një vendim që ishte marrë prej kohësh për ish-udhëheqësit politikë të Kosovës. Sipas tij, të gjithë ata që e kanë ndjekur me vëmendje këtë proces nuk kanë hasur asnjë provë të vetme që të mbështesë akuzat për të cilat ata u arrestuan.
Berisha shtoi se për shqiptarët përfundimi mund të jetë vetëm një: pafajësia e ish-udhëheqësve të Kosovës.
Ai shprehu urimin që ish-udhëheqësit të rikthehen ashtu siç janë – të pafajshëm, me kokën lart dhe si heronj të çlirimit të Kosovës.
Ndërkohë, Berisha ka dënuar çdo kërcënim që synon rendin, paqen dhe sigurinë në Kosovë, nëse aktgjykimi nuk është ai që presin mbështetësit e ish-krerëve të UÇK-së.
Ai i ka quajtur kërcënimet ndaj Kosovës, rendit, paqes dhe sigurisë së saj në rast të një vendimi tjetër nga Gjykata e Hagës si absolutisht të papranueshme, absurde dhe të dënueshme, duke theksuar se Kosova nuk mund të paguajë asgjë për një vendim gjyqësor të padrejtë.
