Range Rover po riformëson konceptin e interierit luksoz, duke synuar të reduktojë numrin e ekraneve dhe t’i japë më shumë rëndësi vetë automjetit. Kjo qasje vjen në një periudhë kur shumë drejtues po shfaqin lodhje nga prania e tepruar e teknologjisë në kabinë.
Të lidhura
None found
Modeli i ri Range Rover GT pritet të jetë shembulli i parë i kësaj filozofie. Automjeti do të pajiset me një bateri me kapacitet të madh dhe autonomi të konsiderueshme, ndërsa pamja përfundimtare do të bëhet e ditur pas heqjes së kamuflazhit. Megjithatë, tashmë është e qartë se kabina nuk do të mbushet me ekrane.
Sipas kompanisë, kjo mënyrë e projektimit do të përdoret edhe në modelet e ardhshme që do të pasojnë GT-në. Në një deklaratë për median australiane Carsales, Range Rover konfirmoi se teknologjia nuk do të lejohet të jetë qendra e vëmendjes në interier, transmeton Telegrafi.
Marka e ka cilësuar mbipopullimin e kabinave moderne luksoze me ekrane si “zhurmë vizuale dhe akustike”. Martin Limpert, drejtori global menaxhues i Range Rover, tha se kompania synon ta largojë këtë ngarkesë nga hapësira e drejtimit.
“Ne e çlirojmë kabinën tonë nga e gjithë kjo. Kjo është ajo që na bën unikë… dhe ne do të vazhdojmë të evoluojmë.”
Kjo nuk do të thotë se ekranet do të zhduken. Range Rover GT do të ruajë karakteristikat e një SUV-je moderne luksoze, duke përfshirë një ekran qendror me prekje për kontrollin e pjesës më të madhe të funksioneve multimediale. Përpara drejtuesit do të vendoset edhe një panel instrumentesh tërësisht digjital.
Risia lidhet kryesisht me mënyrën se si këto elemente janë vendosur në kabinë. Në vend të një pulti të mbushur me ekrane të mëdha, GT kombinon një panel të hollë dixhital për instrumentet me një ekran qendror të pozicionuar relativisht poshtë në konsolë.
Kështu, teknologjia mbetet e disponueshme dhe praktike, por nuk kthehet në elementin dominues të interierit. Marka nuk synon as rikthimin te një kabinë e mbushur me butona fizikë.
Qasja e zgjedhur është përdorimi më selektiv i teknologjisë, e cila do të integrohet në mënyrë të natyrshme në kabinë pa marrë kontrollin mbi përvojën e drejtimit.
Range Rover nuk dëshiron të instalojë pajisje shtesë vetëm për të ndjekur atë që bëjnë rivalët. Ekranet për pasagjerët janë një prej shembujve të kësaj filozofie, pasi kompania vlerëson se përdorimi i tyre nuk është aq i madh sa të justifikojë hapësirën që zënë.
Një pjesë e interierit të Range Rover GT është zbuluar tashmë dhe tregon se modeli do të ketë ende një ekran të madh në qendër të pultit. Megjithatë, në krahasim me disa prej modeleve më të reja të segmentit luksoz, zgjidhja e zgjedhur nga Range Rover është dukshëm më e matur.
GT përfaqëson vetëm hapin e parë në drejtimin që marka planifikon të ndjekë. Range Rover ka bërë të ditur se kjo filozofi do të aplikohet gradualisht në të gjithë gamën e saj, me synimin për të krijuar interierë më të qetë, më elegantë dhe më pak të varur nga ekranet.
Ndërsa prodhuesit premium po e përdorin teknologjinë si një nga fushat kryesore të konkurrencës, Range Rover po pozicionohet ndryshe: më pak ekrane, më pak shpërqendrim dhe vëmendje më e madhe ndaj vetë automjetit. /Telegrafi/
