Ish-zëvendësi i Agimit të Artë lirohet nga burgu, paralajmëron rikthimin politik

Pasditja e sotme shënon lirimin e Ilias Kasidhiaris, ish-krahut të djathtë të liderit të Agimit të Artë, Nikos Michaloliakos, nga burgu i Domokosit. Ai kishte vuajtur dënimin e plotë për akuzën e drejtimit të një grupi kriminal.

Të lidhura

None found

Dënimi prej 13 vitesh burg u konfirmua pasi Gjykata e Apelit në Athinë vërtetoi se Agimi i Artë vepronte si organizatë kriminale e maskuar si parti politike. Së bashku me Kasidhiarisin, për të njëjtën vepër u shpallën fajtorë edhe Nikos Michaloliakos, Giannis Lagos, Christos Pappas, Giorgos Germenis, Ilias Panagiotaros dhe Artemis Matthaiopoulos.

Sipas avokates së tij, lirimi i Kasidhiaris bëhet i mundur pas përmbushjes së plotë të dënimit, sipas përllogaritjeve të përcaktuara nga kodi i burgjeve. Nga 13 vitet e dënimit, rreth shtatë vite kanë qenë vuajtje faktike, përfshirë edhe kohën e paraburgimit, ndërsa pjesa tjetër, gjashtë vite, janë llogaritur nëpërmjet punës në burg, mekanizëm që në disa raste, një ditë pune njihet si më shumë se një ditë heqje lirie.

Partia Agimi i Artë shënoi një ngjitje të fortë elektorale në vitin 2012, duke hyrë për herë të parë në parlamentin grek në një periudhë të karakterizuar nga krizë e thellë financiare dhe politike. Në zgjedhjet e qershorit të atij viti, siguroi 6.92 përqind të votave dhe fitoi 18 mandate. Në vitin 2015, partia ruajti gati të njëjtën fuqi me rreth 7 përqind dhe 18 deri në 19 deputetë, por në zgjedhjet e vitit 2019 nuk arriti dot pragun e 3 përqindëshit, duke mbetur jashtë parlamentit.

Pika kthese në hetimin penal ndaj Agimit të Artë erdhi pas vrasjes së muzikantit antifashist Pavlos Fyssas në shtator të vitit 2013 nga anëtari i formacionit Giorgos Roupakias. Pas një procesi të gjatë gjyqësor, në vitin 2020, gjykata shpalli fajtorë të 18 ish-përfaqësuesit e grupit parlamentar, shtatë prej tyre për drejtim dhe 11 të tjerë për anëtarësim në organizatë kriminale. Në apel, në mars të vitit 2026, u konfirmua fajësia për të 42 të pandehurit që kishin vijuar procesin.

Aktiviteti publik i Kasidhiaris nuk u ndal nga qelia e tij në Domokos. Ai vazhdoi të komunikonte nëpërmjet videove, postimeve në rrjete sociale dhe transmetimeve online, duke u munduar të ruante një prani politike.

Në vitin 2023, ai synoi të kandidonte në zgjedhje me formacionin e quajtur “Ellines” (Grekët), por Gjykata e Lartë e pengoi pjesëmarrjen, duke e konsideruar atë si udhëheqësin e padiskutueshëm të partisë. Më tej mbështeti të ashtuquajturit “Spartiates”. Në qershor të 2025-ës, Gjykata e Posaçme Zgjedhore vendosi heqjen e mandateve për tre deputetë të kësaj partie, me arsyetimin se votuesit ishin mashtruar dhe se udhëheqësi i vërtetë, në hije, ishte Ilias Kasidhiaris.

Edhe në kushtet e burgimit, ai arriti të zgjidhej këshilltar bashkiak në Athinë në vitin 2023, duke mbajtur lidhjet me ithtarët e tij dhe duke paralajmëruar vazhdimisht rikthimin në arenën politike.

E ardhmja e tij politike, pra mundësia që ai të kandidojë sërish, mbetet çështja më e nxehtë. Vetë Kasidhiaris pretendon se lirohet me “të drejta të plota politike” dhe ka njoftuar që do të japë një konferencë për shtyp ku do të shpalosë synimet e tij. Avokatja e tij e konsideron gati të sigurt pjesëmarrjen e tij në zgjedhjet e ardhshme.

Megjithatë, nga ana ligjore situata është e paqartë. Një ligj i vitit 2023 pengon që në zgjedhje të marrin pjesë formacione, udhëheqësi i vërtetë i të cilave është dënuar për drejtim ose anëtarësim në organizatë kriminale. Ekspertët ligjorë kanë mendime të ndryshme nëse ndalimi për Kasidhiaris përfundon me daljen nga burgu apo zgjat përgjatë gjithë afatit formal të dënimit.

Pavarësisht interpretimeve, fjalën përfundimtare do ta japin sërish gjyqtarët e seksionit politik të Gjykatës së Lartë, të cilët do të gjykojnë nëse Kasidhiaris mund të jetë kryetar partie, kandidat për deputet apo drejtues në hije i një force tjetër. Pikërisht mbi këtë pikë përqendrohet dhe diskutimi që ka nxitur shtypi grek. Sipas “Efimerida ton Syntakton”, Kasidhiaris për muaj me radhë ka organizuar rikthimin e tij politik dhe synon atë që quhet “normalizim institucional” të figurës së tij, duke mos u bazuar më në grupet e dhunës në rrugë, por tek ndikimi nëpërmjet mediave sociale dhe tek një segment i elektoratit, kryesisht të rinjtë.

Lirimi i tij, vetëm pak ditë para përkujtimit të vrasjes së Pavlos Fyssas, rikthen në qendër të skenës politike greke një pyetje që shumëkush e konsideronte të zgjidhur pas dënimit të organizatës: a mund të rikthehet politikisht një prej drejtuesve kryesorë të Agimit të Artë pas vuajtjes së dënimit penal?

Një tjetër element i rëndësishëm është se ky rikthim ndodh pak muaj para zgjedhjeve parlamentare, në një kontekst ku mozaiku politik grek është tejet i fragmentuar. Demokracia e Re, edhe pse mbetet forca kryesore, ndeshet me një valë të fortë pakënaqësie, ndërkohë që në krahun e saj të djathtë konkurrojnë disa formacione konservatore dhe të ekstremit të djathtë.

Në anën tjetër, partitë progresiste dhe të qendrës së majtë vijojnë të jenë të ndara dhe pa një alternativë të vetme të qartë për qeverisje, duke përjashtuar çdo lloj bashkëpunimi. Në këtë mjedis, Kasidhiaris orvatet të rikthehet duke braktisur simbolet e hapura neo-naziste të Agimit të Artë dhe duke adoptuar një gjuhë të supozuar “patriotike”, antisistem dhe kundër elitave politike.

Këtu buron dhe shqetësimi i ngritur nga disa organe të medias greke, se “e kaluara mund të përsëritet – si farsë ose si tragjedi”. Edhe në vitin 2012, Agimi i Artë përfitoi nga zemërimi popullor, kriza ekonomike dhe mungesa e besimit ndaj partive klasike për të siguruar hyrjen në parlament.

Aktualisht, Greqia nuk gjendet në të njëjtat kushte. Por disa nga rrethanat politike që dikur ushqyen ekstremizmin, si pakënaqësia e përgjithshme, rritja e çmimeve të ushqimeve, karburanteve dhe qirave, si dhe skandalet politike që shtyjnë drejt një vote ndëshkimi, janë sërish të pranishme. Pyetja që shtrohet tani është nëse rikthimi i Kasidhiaris do të jetë thjesht një episod anësor politik, apo do të shndërrohet në një faktor që ndryshon balancat në të djathtë të spektrit politik grek.


Shtuar 15.09.2026 10:40

sultanbeyli escortparla iptvcasibomcasibomjojobetjojobetpusulabetpusulabetjojobetjojobetholiganbetjojobetholiganbetvize başvurumarsbahisgrandpashabetgrandpashabetjojobet girişcasinofaststarzbetjojobetholiganbetJojobetMarsbahisholiganbetjojobetjojobetjojobetbahsegelizmir escortjojobetMarsbahisMarsbahisMarsbahis GirişBahsegelMarsbahisCasino welcome bonusjojobetcasibomcasibom