Rasti i një foshnje 11-muajshe të raportuar të zhdukur në Turqi ka marrë një kthesë tronditëse, pasi dëshmia e nënës ka ngritur dyshime se vajza mund të jetë shitur.
Të lidhura
None found
Pas tre ditësh kërkimesh intensive, prindërit e foshnjës dhe katër persona të tjerë janë arrestuar në lidhje me ngjarjen.
Mes të ndaluarve janë Elif Balıkçı, 27 vjeç, nëna e foshnjës, babai i saj YB, si dhe katër persona të tjerë. Arrestimet u kryen në lagjen Divriği të provincës së Sivasit.
Elif Balıkçı ka deklaruar para autoriteteve se babai i saj ia kishte dorëzuar foshnjën disa personave në këmbim të parave. Sipas saj, raportimi për zhdukjen e fëmijës ishte i sajuar.
Ngjarja u denoncua më 10 shtator në fshatin Gündüren, në provincën e Divriğit, pasi nëna telefonoi Qendrën e Emergjencës 112 dhe tha se nuk po e gjente vajzën e saj, Busra, në tendën ku jetonin.
Pas njoftimit, në zonë u angazhuan ekipet e AFAD-it dhe xhandarmërisë, të cilat nisën kërkimet për gjetjen e foshnjës.
Operacioni përfshiu ekipet e AFAD-it, komandot dhe forcat e xhandarmërisë. Për lokalizimin e fëmijës u përdorën edhe dronë me inteligjencë artificiale, si dhe qen të trajnuar për kërkim.
Gjatë dëshmisë, nëna tregoi se natën e 10 shtatorit, ndërsa Busra ishte duke fjetur në tendë, pranë tyre kishte mbërritur një makinë e bardhë.
Ajo tha se njëri prej dy personave që dolën nga automjeti hyri brenda në tendë, mori foshnjën dhe u largua.
Megjithatë, në një pjesë tjetër të dëshmisë, Elif Balıkçı deklaroi se vajza ishte dorëzuar paraprakisht te të njëjtët persona nga babai i saj, YB, kundrejt një pagese.
Ajo shtoi se katër persona që banonin në zonën e tendave e kishin parë ngjarjen dhe se rrëfimi për zhdukjen e Busras ishte ndërtuar për të fshehur të vërtetën.
Gjashtë personat e arrestuar pritet të dalin të hënën para gjykatës. Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe për të gjetur vendndodhjen e foshnjës.
