Protesta e zhvilluar para Kryeministrisë ka hyrë në ditën e 106-të, ndërsa aktivisti Ilir Xhemalaj deklaroi në studion e News24 se aksioni qytetar do të vijojë deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e kushteve për një qeveri teknike.
“Uroj që kjo protestë të përfundojë që nesër, Rama të japë dorëheqjen dhe secili prej nesh të rikthehet te shqetësimet dhe problemet e veta në shtëpi. Por duket se ai do ta vështirësojë një gjë të tillë. Megjithatë, besoj se do t’ia dalim patjetër”, tha Xhemalaj në nisje të intervistës.
Të lidhura
None found
Aktivisti u ndal edhe te angazhimi i diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe, Gjermani, Itali dhe vende të tjera të Evropës. Sipas tij, diaspora ka udhëhequr protestën për pesë ditë radhazi, duke e çuar reagimin në një fazë të mosbindjes civile.
“Diaspora është qendra e protestës, sepse ajo e motivon dhe e mbështet këtë qëndresë. Prania e saj ka ndikim të madh te qytetarët që ndodhen në Shqipëri. Kur emigrantët vijnë e protestojnë pasi kanë përshkuar një rrugë të gjatë, qytetari nga Tirana, Fieri apo Elbasani mendon: ‘Nëse ata po vijnë nga diaspora dhe po protestojnë, pse të mos shkoj edhe unë?’”, u shpreh ai.
Xhemalaj denoncoi gjithashtu largimin e madh të të rinjve nga vendi dhe zëvendësimin e punëtorëve shqiptarë me fuqi punëtore të huaj. “Problemi kryesor për të cilin po flasim është shpopullimi i Shqipërisë. Kjo duket si një proces i qëllimshëm, që synon largimin e shqiptarëve dhe sjelljen e popullsive të tjera. Ne jemi një komb shumë i vogël për të përballuar një fluks kaq të madh emigracioni”, deklaroi aktivisti.
Duke shpjeguar motivet e protestës, ai tha se kundërshtimi nuk lidhet vetëm me ligje të veçanta, por me atë që e cilësoi si kapje të shtetit në tërësi.
“Kemi ligjin për zonat e mbrojtura, shitjen e tokave bujqësore të huajve, paketën e maleve dhe KAYO-n, që përbën një vjedhje të hapur të taksave të shqiptarëve. Të gjitha këto ligje kanë një pikë të përbashkët: Edi Ramën. Për këtë arsye, pa u larguar Edi Rama, këto ligje nuk mund të zhbëhen. Ai duhet të ikë, të krijohet një qeveri teknike dhe të realizohet reforma zgjedhore”, theksoi Xhemalaj.
Në përfundim të deklaratës së tij, aktivisti kërkoi nga institucionet e drejtësisë që të ndërmarrin hapa ndaj personave përgjegjës për korrupsionin që, sipas tij, ka marrë përmasa të mëdha në vend.
“Çdo ditë kemi një grup të rinjsh që proteston para SPAK-ut dhe kërkon zgjerimin e hetimeve. Në fund, paratë e korrupsionit janë fonde të hequra nga spitalet, pensionet dhe skemat e ndihmës sociale. Janë para që na janë marrë neve”, përfundoi Ilir Xhemalaj.
