Hetimet për shpërthimin me tritol të ndodhur mbrëmjen e 12 shtatorit, në qendër të Shkodrës, kanë nxjerrë në dritë detaje të reja.
Lënda plasëse u vendos në banesën e Mehdin Bushatit, e cila ndodhet pranë bashkisë së Shkodrës. Dyshohet se autori veproi i vetëm dhe u largua menjëherë pas ngjarjes me një motor.
Të lidhura
None found
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, personi i dyshuar kishte maskuar fytyrën dhe mbante një skafandër në kokë. Motori që përdorte ishte përshtatur në mënyrë që të ngjante me mjetin e një shpërndarësi picash.
Shpërthimi nuk shkaktoi të lënduar, por vetëm dëme materiale. Mehdin Bushati, i cili punon si mësues, ka deklaruar se nuk ka dijeni për arsyet apo autorët e ngjarjes.
Në momentin e shpërthimit, ai ndodhej në banesë së bashku me bashkëshorten. Sipas burimeve, mësuesi nuk ka qenë plotësisht bashkëpunues me policinë gjatë marrjes së deklarimeve.
Grupi hetimor po shqyrton mundësinë që ngjarja të ketë lidhje me vëllain e tij, Gëzim Alias Naser Bushati. Ky i fundit jeton prej vitesh në Gjermani, ndërsa vizita e tij e fundit në Shqipëri ka ndodhur 2-3 vite më parë.
Ndërtesa është e ndarë në atë mënyrë që në katin e parë banon Mehdin Bushati, ndërsa kati i dytë i përket vëllait të tij.
Gëzim Bushati, i cili sipas burimeve ka ndryshuar emrin në Naser, është dënuar me burg në dy raste: një herë me 5 vite në Rumani dhe një herë tjetër me dy vite në Gjermani.
Policia vendore e Shkodrës dyshon se, për shkak të problemeve që mund të ketë jashtë Shqipërisë, lënda plasëse mund të jetë hedhur në banesën e tij si një mesazh kërcënues.
Një tjetër pistë e hetimit është ajo se autori ka vepruar kundrejt pagesës. Ai dyshohet se është afruar pranë banesës, ka hedhur eksplozivin në oborr dhe më pas është larguar në drejtim të paditur.
Autori i maskuar ende nuk është identifikuar. Për zbardhjen e ngjarjes, hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 21:30 të mbrëmjes së djeshme dhe ishte aq i fuqishëm sa tronditi banorët e qendrës së Shkodrës, por edhe ata të zonave të tjera. Të frikësuar mbetën edhe dhjetra turistë që ndodheshin në afërsi të qendrës.
Në të njëjtën kohë, vetëm pak metra larg, në sheshin përpara bashkisë së Shkodrës po zhvillohej një koncert me muzikë dhe lojëra për fëmijët dhe familjet shkodrane.
Policia vijon hetimet për të dokumentuar dhe zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje.
