Prodhuesit francezë të shampanjës kanë marrë për herë të parë lejen për të rritur përkohësisht përqindjen e alkoolit në këtë pije të gazuar, çka mund të bëjë që konsumatorët të dehen më shpejt.
Të lidhura
None found
Për shkak të kushteve të pazakonta të motit, prodhuesit në rajonin e Shampanjës do të mund të prodhojnë gjatë këtij viti shampanjë me deri në 15% alkool, ndërsa më parë kufiri ishte 13%.
Vendimi u mor pas një vere me temperatura rekord dhe thatësirë, faktorë që ndikuan në rritjen e pazakontë të përmbajtjes së sheqerit në rrush. Gjatë procesit të fermentimit, majaja e shndërron këtë sheqer në alkool.
Ky sezon u shënua edhe nga korrja më e hershme e regjistruar ndonjëherë në rajon. Maxime Toubart, bashkëkryetar i Comite Champagne, tha se temperaturat më të larta mund ta kthejnë këtë situatë në një dukuri të zakonshme brenda 10 deri në 15 viteve.
Sipas shoqatës së industrisë Comite Champagne, ndryshimet klimatike mund të bëjnë që një sezon i tillë të konsiderohet normal brenda 10 deri në 15 viteve.
Megjithatë, masa e re pritet të ndikojë vetëm te një numër i kufizuar verërash. Pas fermentimit të dytë, proces që i jep shampanjës gazin, disa produkte mund të kenë kaluar lehtë pragun prej 13%, duke arritur në rreth 13.1% ose 13.2% alkool.
Për këtë arsye, kufiri është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme dhe vetëm për vitin 2026, duke u vendosur në 15%.
Sezoni është cilësuar si një nga më të pazakontët në historinë e Shampanjës, pasi përfshiu ngrica të forta pranverore, lulëzim të hershëm dhe pesë valë të nxehti gjatë verës.
Ekspertët vlerësojnë se një nivel më i lartë alkooli mund të mos përbëjë domosdoshmërisht avantazh në treg, duke qenë se konsumatorët po kërkojnë gjithnjë e më shumë pije me përmbajtje më të ulët alkooli.
Shampanja e prodhuar nga rrushi i vitit 2026 nuk pritet të shitet para vitit 2028, pasi kërkon të paktën 15 muaj maturim.
Ndryshimet klimatike po ndikojnë në rritjen e temperaturave mesatare në të gjithë botën dhe po i bëjnë valët e të nxehtit më të shpeshta e më intensive. Evropa është ndër zonat që po ngrohen me ritmin më të shpejtë, rreth dy herë më shpejt se mesatarja globale.
