Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vijojë të dielën, më 13 shtator, në orën 10:00. Sipas njoftimit zyrtar të Kuvendit, deputetët do të kenë në rend dite zgjedhjen e nënkryetarëve.
Të lidhura
None found
Konstituimi i legjislaturës së 11-të ka mbetur sërish në ngërç, pasi më 11 shtator deputetët nuk arritën marrëveshje për mënyrën e votimit të pesë nënkryetarëve. Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e akuzuan partinë fituese të zgjedhjeve për bllokim të procesit, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se nuk mund të votojë kandidatë për nënkryetarë që kundërshtojnë kandidatin për president të shtetit. Për këtë arsye, vazhdimi i seancës u caktua për të dielën, më 13 shtator, transmeton KosovaPress.
Pas më shumë se një muaji bllokadë politike, Kuvendi kishte shënuar një përparim drejt përfundimit të procesit të konstituimit. Të mërkurën, në vazhdimin e seancës konstituive, u zgjodh kryetarja e Kuvendit të Kosovës me 62 vota pro, ndërsa kandidatura e saj mori 16 vota kundër.
Dy ditë më vonë, më 11 shtator, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, u zgjodh nënkryetar i Kuvendit. Për të votuan 101 deputetë, nuk pati asnjë votë kundër dhe u regjistrua një abstenim, duke i mundësuar atij marrjen e pozitës së dytë në parlamentin e shtetit.
Partia Demokratike e Kosovës kishte propozuar Vlora Çitakun për një nga pozitat e nënkryetarit, por ajo nuk mori votat e nevojshme në raundin e parë. Çitaku siguroi 44 vota pro, një kundër dhe 56 abstenime. Pas këtij rezultati, deputetët e PDK-së braktisën sallën dhe njoftuan se nuk do të riktheheshin, duke paralajmëruar se do t’i drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese për vonesën e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Po më 11 shtator, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës u larguan nga salla gjatë një tjetër përpjekjeje për zhvillimin e procesit të zgjedhjes së nënkryetarëve. Ky veprim çoi sërish në dështimin e seancës konstituive. LDK-ja kundërshtoi përpjekjen e kryetares së Kuvendit për ta hedhur në votim individual propozimin e saj për nënkryetar, Kujtim Shalën, pa u zgjedhur më parë nënkryetari nga radhët e partisë së dytë, PDK-së.
Pas largimit të Grupit Parlamentar të LDK-së, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, vendosi që vazhdimi i seancës konstituive të mbahet më 13 shtator, duke filluar nga ora 10:00.
