Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Pentagon për të shënuar 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, presidenti amerikan Donald Trump tha se ajo ditë nuk do të harrohet kurrë. Sipas tij, kujtimi i sulmeve lidhet drejtpërdrejt me përpjekjet e sotme të Shteteve të Bashkuara kundër terrorizmit.
Të lidhura
None found
“Nuk do ta harrojmë kurrë. Pikërisht për këtë arsye luftojmë sot. Nuk kemi zgjedhje tjetër. Vetëm fitorja mund të vijë”, u shpreh Trump në fjalimin e tij.
Presidenti e cilësoi 11 shtatorin si “një moment të një të keqeje të madhe dhe të tmerrshme”, duke nënvizuar se sulmet përbënin një nga sfidat më të rënda në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Trump kujtoi edhe reagimin e shoqërisë amerikane pas tragjedisë, duke theksuar bashkimin e qytetarëve dhe solidaritetin e treguar në një prej periudhave më të vështira për vendin.
“Koha nuk e ka zbehur nderin e asaj dite kur vendi ynë u përball me të keqen e vërtetë”, deklaroi ai. Sipas presidentit, përvjetori i 11 shtatorit rikthen në vëmendje edhe mënyrën se si Amerika u përball me pasojat e sulmeve.
Trump tha se pikërisht në momente të tilla u shfaq më qartë karakteri i kombit amerikan.
Një vend të veçantë në fjalimin e presidentit zuri nderimi për heronjtë e 11 shtatorit. Ai përmendi zjarrfikësit, efektivët e policisë, punonjësit e shërbimeve të emergjencës dhe qytetarët e zakonshëm që vunë jetën në rrezik për të shpëtuar njerëz të panjohur.
“Heronjtë tanë janë ata që hyjnë me vrap në ndërtesa dhe japin jetën e tyre një të martë në mëngjes për të huaj që nuk i kanë takuar kurrë”, tha Trump.
Presidenti amerikan e krahasoi këtë akt sakrifice me veprimet e terroristëve, duke argumentuar se përgjigjja e qytetarëve pas sulmeve tregoi forcën, qëndrueshmërinë dhe unitetin e shoqërisë amerikane.
