Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur përditësimin më të fundit për zjarret në territorin e vendit. Sipas njoftimit zyrtar, gjatë ditës janë evidentuar 30 vatra, nga të cilat 7 janë ende aktive, 10 po mbahen nën vëzhgim, ndërsa 13 janë shuar.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 404 forca operacionale vendore dhe lokale, së bashku me 21 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të operacioneve, Forcat e Armatosura kanë vënë në dispozicion 133 efektivë, 1 helikopter, 2 automjete zjarrfikëse, 1 dron, 13 mjete dhe 1 autoambulancë.
Të lidhura
None found
Në Qarkun Tiranë, zjarri në Malin e Dajtit vazhdon të jetë aktiv. Gjatë ditës në terren kanë punuar 25 zjarrfikës, 7 forca të ADZM-së dhe 52 efektivë të FA, të mbështetur nga 6 mjete dhe 1 autoambulancë. Sipas të dhënave, zonat e banuara nuk kërcënohen. Ndërkohë, vatrat në Malin e Bërzhitës dhe në Malin me Gropa janë izoluar dhe vijojnë të monitorohen.
Situata mbetet aktive edhe në disa pika të Qarkut Dibër. Vatra janë evidentuar në Lundre–Madhesh, Mat, në Cerrujë–Mali i Allushit, Klos, në Selishtë, si dhe në një vatër të re në Pleshë, Klos. Zjarri në Qafën e Helmes është vendosur nën mbikëqyrje.
Në Qarkun Shkodër, vatra në Porav, Fushë-Arrëz, është ende aktive. Zjarret në Rragam dhe në malin e Tërbunit po monitorohen dhe nuk paraqesin rrezik për banesat. Ndërsa vatra në Mnelë të Madhe është shuar.
Në Qarkun Fier, vatra në Peshtan vijon të jetë nën monitorim, kurse zjarri në Çërrilë, Mallakastër, mbetet aktiv. Për shuarjen e tij po punojnë forcat vendore, strukturat pyjore dhe ato të mbrojtjes civile. Në operacion janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura me 1 helikopter, 32 efektivë dhe 3 mjete.
Në qarqet Lezhë, Elbasan dhe Korçë, gjendja është më e qetë, pasi shumica e vatrave të raportuara janë shuar ose ndodhen nën mbikëqyrje. Në Opar të Korçës vijojnë ndërhyrjet në terren, por vatra klasifikohet si e monitoruar dhe nuk paraqet rrezik për banesat.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po ndjek pa ndërprerje situatën në të gjithë vendin, në bashkëpunim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Forcat dhe mjetet operacionale vijojnë të qëndrojnë në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, sipas nevojave të situatës. Prioritet mbetet mbrojtja e jetës së njerëzve, banesave, pasurisë së qytetarëve dhe mjedisit.
