NABU dhe SAPO, autoritetet ukrainase kundër korrupsionit, kanë ndërmarrë një operacion ndaj zyrtarëve të Prokurorisë së Përgjithshme. Ata dyshohen se janë përfshirë në një rrjet kriminal të lidhur me mashtrimet e kryera përmes të ashtuquajturave “call center”.
Të lidhura
None found
Çështja po hetohet nën emrin e koduar “Kartagjena”. Mes provave janë edhe disa përgjime audio, nga të cilat ngrihen dyshime se drejtues të lartë të Prokurorisë kanë përfituar ryshfete për t’i mbrojtur këto kompani nga procedimi penal.
DW shkruan se është arrestuar një zyrtar i lartë, i cili në incizime identifikohet me pseudonimin “Kancelari”. Dyshimet janë shtrirë gjithashtu te ish-Prokurori i Përgjithshëm, Ruslan Kravçenko. Ai ka dhënë dorëheqjen, por mohon të ketë pasur rol në veprimtari të paligjshme. Sipas hetuesve, disa referenca të regjistruara mund të kenë lidhje me të, ndërsa pretendohet se njëri prej zyrtarëve të përfshirë i ka ofruar edhe shërbime private.
Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional vlerëson se në Ukrainë funksionojnë afërsisht 1,000 “call center-a” të paligjshme, ku dyshohet se janë të punësuar rreth 60,000 persona. Mesatarisht, një kompani e tillë llogaritet të sigurojë rreth 1 milion dollarë të ardhura çdo muaj.
Nga hetimet rezulton se zyrtarë të Prokurorisë mund të kenë përfituar qindra mijëra dollarë ryshfet në muaj, në këmbim të mbrojtjes së një pjese të këtyre kompanive. Ky skandal shpërthen në një moment delikat për Ukrainën, teksa vendi vijon luftën me Rusinë dhe ndodhet nën trysni të vazhdueshme për të intensifikuar përpjekjet kundër korrupsionit.
