Mesfushori australian Cristian Volpato, 22 vjeç, është përballur me një gjobë prej 722 dollarësh australianë dhe me pezullimin e patentës, pas shkeljes së kufirit të shpejtësisë dhe rezultatit pozitiv për kokainë. Ai u ndalua nga policia lokale në Sydney në fund të korrikut, ndërsa tashmë mund të përballet edhe me një masë pezulluese në sport.
Të lidhura
None found
Ngjarja ndodhi pas dy ndalimeve të njëpasnjëshme brenda së njëjtës mbrëmje. Në rastin e parë, Volpato po drejtonte automjetin me 109 kilometra në orë në një zonë ku shpejtësia maksimale e lejuar ishte 60 km/orë. Testi i alkoolit rezultoi negativ, por rreth dy orë më vonë policia e ndaloi sërish për tejkalim të shpejtësisë. Gjatë kontrollit të dytë, analiza për substanca narkotike rezultoi pozitive për kokainë.
Futbollisti deklaroi më pas se nuk e kishte konsumuar kokainën me vetëdije. Tashmë i takon Federatës së Futbollit të Australisë të vendosë nëse ai do të mund të jetë pjesë e përfaqësueses në Kampionatin Aziatik, që pritet të zhvillohet në janar.
Volpato, i cili së fundmi është bërë pjesë e Sassuolos, ka lindur në Australi, ndërsa në moshë të mitur u zhvendos në Itali, vendin e origjinës së gjyshit të tij. Në Itali, ai përfaqësoi ekipet kombëtare të moshave.
Megjithatë, në fillim të këtij viti ai zgjodhi të vazhdonte karrierën ndërkombëtare me Australinë në nivelin e të rriturve. Mesfushori ishte pjesë e skuadrës australiane në Kampionatin Botëror të këtij viti në Amerikën e Veriut, ku u aktivizua në tre ndeshje.
