Ornela Çuçi, ish-zv/ministre e Turizmit
Diskutimi mbi korrupsionin në Ukrainë është kthyer prej kohësh në një temë të pranishme në forumet dhe bisedat gjeopolitike ku marr pjesë. Vëmendja përqendrohet sidomos te administrimi i fondeve të huaja, prokurimet, procesi i rindërtimit dhe miliardat që komuniteti ndërkombëtar po vë në dispozicion të një vendi që, krahas fitores së luftës, duhet t’u dëshmojë aleatëve se paratë e tyre menaxhohen sipas rregullave dhe nën kontroll.
Të lidhura
None found
Kjo nuk është një çështje e ngritur vetëm nga kundërshtarët e Ukrainës. Partnerët e saj e kanë vendosur vetë në qendër të vëmendjes. Sipas Bankës Botërore, që nga nisja e pushtimit rus janë mobilizuar mbi 90 miliardë dollarë mbështetje financiare për Ukrainën. Skemat e financimit lidhen edhe me përmirësimin e qeverisjes, luftën ndaj korrupsionit, procedurat e prokurimit dhe administrimin e financave publike. Ndërkohë, Bashkimi Europian e konsideron forcimin e institucioneve antikorrupsion një element të rëndësishëm të integrimit dhe të besimit të donatorëve.
Në këtë kuadër, Ukraina ndodhet nën një mbikëqyrje të fortë, ndaj edhe përmendja e Ronit në një pjesë të përgjimeve merr peshë. Problemi i korrupsionit atje është real. Transparency International, në Corruption Perceptions Index 2025, e rendit Ukrainën të 104-tën mes 182 vendeve, me 36 pikë nga 100. Shqipëria ka 39 pikë dhe pozicionohet e 91-ta. Kjo do të thotë se perceptimi për korrupsionin është më negativ në Ukrainë sesa në Shqipëri.
Duhet mbajtur parasysh edhe rrethana tjetër: Ukraina është në luftë. Që prej vitit 2022 ajo vepron nën ligj ushtarak, ka territore të pushtuara, qytete të goditura nga bombardimet dhe nevoja të jashtëzakonshme ushtarake. Nëse ekziston një situatë ku urgjenca mund të përdorej si justifikim për lehtësimin e procedurave, ajo është pikërisht Ukraina.
Megjithatë, pjesa e përgjimit të publikuar më ka tronditur më shumë se emrat e përmendur aty. Në bisedë thuhet se ukrainasit kërkojnë tender dhe se nuk mund të veprojnë ndryshe, pasi janë “në sytë e NATO-s”. Është e vështirë të mos shihet absurdi i kësaj situate në raport me ne. Një shtet në luftë, nën ligj ushtarak, me rezultat më të dobët se Shqipëria në indeksin e perceptimit të korrupsionit dhe i varur në një masë të jashtëzakonshme nga ndihma financiare e ushtarake ndërkombëtare, e kupton se po monitorohet dhe se procedura duhet justifikuar.
Shqipëria, në të kundërt, është në paqe, është anëtare e NATO-s që prej vitit 2009, negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe e ka të përditshme retorikën për sundimin e ligjit, standardet europiane dhe institucionet e forta. Madje, në renditjen e Transparency International, rezulton disi më mirë se Ukraina. Pavarësisht kësaj, nga biseda Shqipëria paraqitet si vendi ku mund të veprohet pa tender.
Pikërisht këtu, për mua, nis çështja që na përket neve dhe nuk mbetet më thjesht historia e Ron Yefetit. Nuk ka shumë rëndësi se çfarë mendon ai për shqiptarët, edhe pse është e dhimbshme të dëgjosh një njeri që ka përfituar nga ky vend duke na perceptuar në atë mënyrë. Pyetja është se kush dhe çfarë e ka bindur se shteti shqiptar funksionon kështu. Me kë ka zhvilluar negociata? Çfarë ka parë? Çfarë i është ofruar? Kush i ka krijuar sigurinë për të folur për Shqipërinë si vendin ku mund të zgjidhet ajo që ukrainasit nuk e bëjnë dot sepse janë “në sytë e NATO-s”?
Kjo, sipas meje, përfaqëson një shkallë tjetër të korrupsionit. Zarfi i kaluar nën tavolinë është vetëm forma më e zakonshme e tij. Prishja e vërtetë institucionale ndodh kur mungesa e rregullave shndërrohet në pjesë të ofertës së shtetit; kur biznesmeni që kërkon të punojë me shtetin e sheh lidhjen me vendimmarrësin kryesor si më të rëndësishme se procedura; kur shprehja “në Shqipëri e bëjmë” kuptohet pa pasur nevojë për sqarime.
Nuk mjafton të thuhet se bëhet fjalë për industrinë ushtarake. Është e qartë se mbrojtja dhe siguria mund të kenë procedura të veçanta, konfidencialitet dhe përjashtime të përcaktuara nga ligji. Për arsye të sigurisë kombëtare, disa të dhëna nuk mund dhe nuk duhet të bëhen publike. Por një procedurë e posaçme nuk është mungesë procedure, ashtu siç konfidencialiteti nuk përjashton kontrollin. Sekreti shtetëror nuk mund të jetë sekret nga vetë shteti. Përkundrazi, sa më strategjik të jetë një sektor, aq më rigoroz duhet të jetë kontrolli institucional. Kur në lojë janë armët, municionet, teknologjia ushtarake, kompanitë e huaja, pasuritë shtetërore dhe paratë publike, publiku mund të mos ketë të drejtë të dijë çdo hollësi, por shteti duhet të njohë dhe të mbikëqyrë çdo detaj.
Për këtë arsye, nëse autenticiteti i përgjimit vërtetohet, SPAK duhet të përcaktojë se çfarë është kryer pa tender dhe cila ka qenë baza ligjore. Duhet të sqarohet kush e ka autorizuar procesin, kush ka negociuar në emër të shtetit, si janë zgjedhur kompanitë dhe kush ka verifikuar pronarët e tyre dhe përfituesit fundorë. Po ashtu, duhet të dihet kush ka kontrolluar kapitalin, përvojën dhe kapacitetet e tyre, si është llogaritur interesi ekonomik i shtetit shqiptar, nëse ka pasur alternativa, kush ka firmosur dhe kush ka mbikëqyrur të gjithë procedurën.
Në një shtet funksional, një material i tillë do të duhej të sillte menjëherë reagim institucional. Ministritë dhe institucionet e përfshira duhet të paraqisnin dokumentet, të sqaronin hapat e ndjekur dhe të mbanin përgjegjësinë për rolin e tyre. Kur sqarimet administrative ose politike nuk janë të mjaftueshme, duhet të veprojë drejtësia. Ajo që duhej të niste dje ishte një lëvizje e menjëhershme institucionale për përgjegjësinë: ministra që japin llogari, mandate të vendosura në dispozicion, institucione që hapin dokumentet, auditime, hetime dhe një Parlament që kryen detyrën për të cilën ekziston. Moralisht, ky shtet ka rënë prej kohësh. Tashmë duhet parë nëse kjo që po dëgjojmë tregon se rënia ka prekur edhe vetë institucionet.
Paradoksi është i fortë: ukrainasit, ndonëse ndodhen në luftë dhe nën ligj ushtarak, thonë se tenderi është i domosdoshëm sepse janë “në sytë e NATO-s”. Ata janë nën vëzhgimin e NATO-s. Ne jemi NATO që prej vitit 2009. E megjithatë, dikush duket se e paraqet Shqipërinë si vendin ku sytë mund të mbyllen.
Prandaj, nëse përmbajtja e përgjimit provohet, nuk është Ron Yefeti ai që e ul Shqipërinë si shtet. Duhet të kemi guximin të pranojmë se mund të jemi ne ata që i kemi mësuar se me shtetin shqiptar mund të sillej në këtë mënyrë. Ne, shteti më absurd i mijëvjeçarit të ri.
More, po ne ku dreqin jetojmë?
