Gjendja e krijuar nga zjarret në Mat vijon të jetë kritike, ndërsa vatra që ka përfshirë fshatrat e Ulzës po zgjerohet vazhdimisht. Flakët janë përhapur në një sipërfaqe të madhe, të favorizuara nga terreni i thepisur malor, erërat e forta dhe thatësira.
Zjarri ka djegur banesa e stane, ndërsa objekte të tjera ndodhen nën kërcënim. Situata më e rënduar paraqitet aktualisht në fshatrat Lundre dhe Madhesh, ku rrezikohen shtëpitë, ndërkohë që ndërhyrja nga toka vazhdon prej më shumë se një jave.
Të lidhura
None found
Vatra ka avancuar në aksin lindje-perëndim dhe tashmë ka depërtuar në parkun e mbrojtur të Shkopetit. Autoritetet vendore, me mbështetjen e Forcave të Armatosura, po vijojnë përpjekjet për shuarjen e zjarrit, por vendosja e tij nën kontroll duket e vështirë pa ndërhyrje ajrore.
Ndërkohë, një tjetër vatër po kërcënon malin e Balgjajt. Zjarri, i cili nisi nga krahu i Selishtës në Dibër, ka mbërritur pranë kreshtës së Balgjajt, duke rrezikuar një tjetër zonë pyjore të rrethit Mat.
Në Bulqizë mbetet aktiv edhe zjarri që ra disa ditë më parë në malin e fshatit Vajkal, ndërsa flakët janë zhvendosur në drejtim të fshatit Shëngjun, në Bashkinë Klos.
