Pavarësisht se u dëbua nga territori francez dhe u akuzua si vegël e propagandës së Moskës, Xenia Fedorova, ish-drejtuesja e rrjetit shtetëror rus Russia Today, do të vijojë të transmetohet në ekranet e Francës si analiste. Rikthimi i saj vjen përmes një marrëveshjeje me stacionin CNews, pronë e manjatit Vincent Bolloré.
Të lidhura
None found
Për të anashkaluar ndalimin fizik të hyrjes në vend, Fedorova do të lidhet me studion nëpërmjet videokonferencës, një lëvizje që i mundëson asaj të vazhdojë të shprehë pikëpamjet e saj pavarësisht masave të autoriteteve franceze.
Qeveria në Paris e ka pritur me shqetësim këtë zhvillim. Kreu i diplomacisë franceze, Jean-Noël Barrot, u shpreh “tepër i habitur” dhe “i pikëlluar” që konglomerate të fuqishme mediatike po i ofrojnë tribuna një personi që, sipas tij, u largua me plot të drejtë nga Franca.
Ministri i Jashtëm e cilësoi Fedorovën si “agjente propagande të Kremlinit” dhe kujtoi se vendimi i dëbimit erdhi si pasojë e implikimit të saj në operacione dezinformimi të drejtuara nga Rusia, me synim cenimin e rendit publik në Francë.
Urdhri për largimin e saj u firmos në fund të korrikut, pas një periudhe të gjatë debatesh të ashpra mbi qëndrimet e saj mbështetëse për regjimin e Vladimir Putinit. Krahas dëbimit, shteti francez vendosi edhe bllokimin e përkohshëm të llogarive dhe pasurive të saj për një afat gjashtëmujor.
Mirëpo, mungesa fizike nuk përbën pengesë ligjore për pjesëmarrje në distancë në programe televizive. Moderatori i CNews, Gauthier Le Bret, ka konfirmuar se ish-drejtuesja e Russia Today do të jetë sërish e pranishme përmes një lidhjeje video për të dhënë komentet e veta.
Ky rikthim i Fedorovës në një media që kontrollohet nga Bolloré ka ndezur shqetësimet në Francë lidhur me ndikimin e zërave pro-Kremlinit në sferën publike, sidomos në prag të garës presidenciale të vitit 2027.
Ministri Barrot ngriti pyetjen: “Përse t’i hapësh studiot, t’i vësh në dispozicion hapësirat e gazetave dhe t’i dhurosh minuta çmimi dikujt që është vërtetuar se punon për Rusinë kundër interesave të Francës dhe Bashkimit Evropian?”
