Reform UK është përfshirë nga një skandal në prag të konferencës vjetore të partisë së drejtuar nga Nigel Farage, pas publikimit të një investigimi të realizuar me kamera të fshehta.
Të lidhura
None found
James Orr, përgjegjësi për politikat e partisë, dhe Dan Jukes, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Farage, janë larguar nga funksionet e tyre pas akuzave se Reform UK ka marrë financim të paligjshëm nga jashtë Britanisë. Çështja lidhet me tre sondazhe, me vlerë totale 32 mijë e 500 paund, të cilat, sipas Channel 4 News, janë paguar nga një kompani amerikane. Legjislacioni britanik ndalon financimin e partive politike nga kompanitë e huaja, duke përfshirë edhe pagesat për sondazhe ose kërkime.
Personat që u prezantuan si financues rezultuan të ishin gazetarë investigativë të infiltruar. Në materialet e regjistruara, James Orr diskutohet për mënyrën se si pagesa mund të realizohej pa dijeninë e Nigel Farage, ndërsa Dan Jukes e cilëson një prej projekteve si “jashtë regjistrave”. Në një tjetër takim, Farage shihet duke biseduar me donatorët e rremë dhe duke vlerësuar rezultatet e një sondazhi.
Reform UK i ka mohuar shkeljet dhe pretendon se është vënë në shënjestër të një kurthi të ngritur nga aktivistë që u shtirën si financues. Partia ka hapur një hetim të brendshëm, ndërsa kryetari Lee Anderson deklaroi se dy zyrtarët nuk pritet të rikthehen në postet e tyre. Ndërkohë, Laburistët dhe Liberal Demokratët kanë kërkuar që çështja të hetohet nga policia dhe Komisioni Zgjedhor.
Publikimi i skandalit vjen në një periudhë të ndjeshme për Farage, i cili po përpiqet ta pozicionojë Reform UK si një forcë të gatshme për të qeverisur. Në Birmingham pritet të prezantohet plani i partisë për 100 ditët e para në pushtet.
