Vrasja u porosit nga bashkëshorti, dedikimi i Liridonës në Instagram: Burri është gjithçka e imja

Liridona Ademi Murseli, e cila u vra me porosi të bashkëshortit të saj, Naim Murseli në profilin e saj në Instagram, nuk tregon që mes tyre të ketë pasur probleme, madje përkundrazi ka bërë dedikim për të.

“Burri im është gjithçka e imja”, e ka të shkruar ajo në Instagram duke e shoqëruar me dy zemra dhe me shkronjën N, për bashkëshortin e saj Naimin.

Policia e Kosovës ka arrestuar bashkëshortin, Naim Murseli i cili akuzohet se ka porositur vrasjen për 30 mijë euro, dorasin Granit Plavën si dhe Kushtrim Kallakun, nipin e Naimit pasi akuzohet se ka bashkëpunuar në këtë krim.

Media “Indeksonline” po raporton se një prej motiveve që dyshohet ta ketë shtyrë Naim Murselin në organizimin e gjithë skemës për vrasjen e gruas së tij Liridonës, është një sigurim që i kishte paguar kësaj të fundit në Suedi. Sigurimi jetësor që Murseli i kishte paguar Liridonës në një kompani të fuqishme suedeze, mundësonte që në rast të ndonjë fatkeqësie apo tragjedie jetësore të mbulonte shpenzime deri në 20 milionë eurove. Naim Murseli dyshohet se ka qenë në dijeni për këtë shumë shpaguese nga sigurimi.

Ngjarja e rëndë u shënua më 29 nëntor në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë të Kosovës. Atë natë Murseli kishte rrëfyer në polici se kishin rënë pre e një grabitjeje teksa kishte qenë në makinë me Liridonën dhe fëmijët, por hetimet dhe provat çuan në një pistë tjetër. Dhe më 1 dhjetor, pak orë pas ceremonisë mortore të Liridona Murselit, u njoftua arrestimi i Naimit. Në mediat kosovare, shkruhet se ish-këshilltari i Behgjet Pacollit ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen e gruas te i dyshuari Granit Plava. Edhe ky i fundit ka pranuar se për të kryer vrasjen Murseli i ka premtuar 30 mijë euro në këmbim të vrasjes së gruas së tij.

I dyshuari Murseli ia kishte dhënë të dyshuarit Plava, 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës. Vrasja ka shokuar tre familjet, Murselin, Kallakun por dhe Ademin marrëdhëniet e të cilave nuk do të jenë më kurrë si më parë. Policia ka sekuestruar një pistoletë me të cilën dyshohet se u krye krimi si dhe 19 fishekë dhe një makinë që dyshohet se u përdor nga autorët./albeu.com


Shtuar 2.12.2023 19:09