25 vite e martuar në Tetovë, shtetasja nga Tirana e divorcuar mbetet në fatin e jetës (VIDEO)

Pas ndarjes nga ish-bashkëshorti në Tetovë, Flutura Stafa prej një viti jeton e vetme në një garsoniere në Tiranë. Banesë të cilën nuk e ka më të sigurt pasi nuk mundet ta paguajë. Pas 25 vitesh e martuar dhe sot me jetesë të pasigurt në vend tjetër, ajo ndan në një rrëfim emocional, historinë e jetës së saj dhe kushtet pa shpresë në të cilat ndodhet sot.

“Si kafshë kam punuar dhe kur erdhi puna, më bënë një hile të madhe dhe kur më nxorrën atë ditë më nxorrën sikur të isha një kriminele dhe jo e familjes së tyre”, tha Flutura.

51-vjeçarja tregon se për shkak të problemeve shëndetësore ajo nuk ka mundësi të punojë, për këtë arsye ka përfituar një kemp. Mirëpo, ndihma që merr nuk i del për pagesën e qirasë, ndërkohë që pronari e ka paralajmëruar se nëse nuk bën pagesën do të duhet të dalë jashtë.

“Mezi fitova një kemp prej 106 mijë lekë, unë qiranë e kam 140. Pronari kërkon qiranë unë nuk kam ta paguaj”, tha ajo.

Sipas euronews.al, ajo përshkruan vuajtjen e përjetuar gjatë këtyre viteve të jetës dhe se si ka qenë viktimë e dhunës së vazhdueshme në familje.

“Vetëm vuajtje, vetëm duke qarë, sa nuk shoh edhe nga sytë duke qarë, sepse ashtu familje ishin ato. Më ka dhunuar fizikisht, psikologjikisht edhe rashë në një stres të madh pasi u divorcova”, shton ajo.

Deri më sot e mbetur fillikat pasi prindërit i kanë ndërruar jetë, ajo tregon se ka jetuar vetëm më ndihma.

“Kam lypur nëpër të gjitha institucionet edhe ato më kanë ndihmuar nga pak, vetëm me ndihma kam jetuar, me asgjë tjetër dhe kur ishte koha e epidemisë, mbeta dy muaj e izoluar këtu në këtë shtëpi, nuk trokiti asnjë të më thotë a ke të hash, a ke të pish, me çfarë rron”? – shton ajo.

Teksa gjendemi në muajin e shenjtë të Ramazanit, Flutura thotë se po agjëron, mirëpo vaktet e saj vështirë se e ngopin.

“Kur ngrihem në orën 3 vetëm bukë e vaj e kripë ha vetëm të agjëroj, në darkë ziej një tenxhere me makarona”, thotë Flutura.

Duke iu drejtuar institucioneve dhe çdokujt tjetër që ka mundësi, 51-vjeçarja kërkon ndihmë.

“I lutem zotit Kryeministër me mish e me shpirt le ta vërë një dorë në zemrën e vet si nënën e vet, si motrën e vet, të ma japi një dhomë sociale, nuk dua gjë tjetër, të paktën një ditë të rroj e të vdes në një shtëpi”, tha ajo.

Flutura ende shpreson se dikush do e ndihmojë për të dalë nga situata e dëshpëruar ku ndodhet.

/EuroNews.al/


Shtuar 7.05.2020 19:58