Xhaferi: Kuvendin mund ta rikthejë vetëm populli

I ftuar në TV21 Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi ka folur për iniciativën e LSDM-së e të firmosur nga 35 deputetë të të gjitha partive parlamentare, përveç VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, që kanë kërkuar rimbledhjen e parlamentit për të konfirmuar dy vendimet e Presidentit për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.

Xhaferi tha se ai ka qenë ndër të parët që është përgjigjur dhe ka dhënë qëndrim juridik-institucional për këtë çështje dhe për pasojat që mund të prodhonte një veprim i tillë.

Në ClickPlus kryeparlamentari tha se nuk dëshiron të jetë pjesë e debateve ndërpartiake andaj edhe ka vendosur që deri në mbarimin e të njejtave të qëndrojë në “karantinë politike”.

“Unë s’jam në izolim politik, por jam në heshtje politike” u shpreh Xhaferi, duke shtuar se që në kontekstin politik ai dëshiron të vazhdojë të qëndrojë neutral siç është zotuar kur e ka marrë funksionin e kryeparlamentarit.

Xhaferi rikujtoi se para shpërbërjes së parlamentit ka qenë i qartë së pas shpërbërjes Kuvendi nuk mund të rikthehet më, por se cilat do të jenë vendimet politike dhe se si do të zbatohen, kjo mbetet për t’u parë, tha ai.

“Nuk ka rikonstruim të një subjekti të shpërbërë! A mund ta rikthejmë Jugosllavinë e shpërbërë?!” bëri pyetje retorike kryeparlamentari.

Ai më tej shtoi se vetëm populli përmes zgjedhjeve mund të rikthejë parlamentin funksional. Kjo për shkak se siç sqaroi, me vendimin për shpërbërje deputetët e kanë kthyer të drejtën e përfaqësimit, andaj më s’kanë të drejtë për vendimmarrje dhe përfaqësim të qytetarëve.

Sa i përket qëndrimit se Kuvendi mund të rikthehet pa një vendim të kryeparlamentarit, Xhaferi u shpreh se një gjë e tillë do të ishte grusht shteti dhe se i vjen keq që këtë gjë e dëgjon nga profesionistë dhe akademikë.


Shtuar 27.04.2020 21:54