UEFA i dënoi me 2 vite pezullim nga Champions, reagon City: Do e apelojmë në CAS

Pas përjashtimit me 2 vite nga Champions ka reaguar dhe vetë klubi i Manchester City përmes rrjeteve sociale. Klubi anglez bën të ditur se ky dënim do të apelohet në CAS.

Komunikata e Manchester City-t:

“Manchester City është i zhgënjyer, por jo i befasuar nga vendimi i UEFA-s. Klubi ka thënë gjithmonë se duhet të gjejë një instrument gjykimi të pavarur dhe të paanshëm që të jetë në gjendje të konsiderojë në mënyrë të paanshme të gjitha provat e pakundërshtueshme në mbështetje të pozicionit të shoqërisë. Në vitin 2018, kryehetuesi i UEFA-s kishte prezantuar publikisht sanksionet që ai synonte të vendoste ndaj Manchester City-t përpara se të fillohej ndonjë hetim.

Për këtë arsye, nuk kishte dyshime për rezultatet e gjyqit të UEFA-s. Klubi apeloi zyrtarisht. Me pak fjalë, ky është një rast i iniciuar nga UEFA, i ndjekur nga UEFA dhe i gjykuar nga UEFA. Klubi do të kërkojë gjykim të paanshëm në kohën më të shkurtër të mundshme dhe para së gjithash në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv”.


Shtuar 14.02.2020 20:27