Transferimi i Fernandesit te United po hetohet nga FIFA

Transferimi i Bruno Fernandesit te Manchester Unitedi është duke u hetuar nga FIFA, pasi ish-klubi i mesfushorit portugez, Sampdoria, ëshë ankuar se nuk është paguar.

Fernandes u transferua në janar të këtij viti te Unitedi nga Sportingu i Lisbonës për 55 milionë euro. Por, Sampdoria, që ia shiti Sportingut mesfushorin tri vjet më parë, insiston se nuk ka marrë dhjetë përqindëshin e shumës së paraparë, siç ishte marrëveshja kur u shit Fernandes.

Sampdoria kishte futur në marrëveshjen e transferimit te Fernandesit te Sportingu edhe se do të marrë 10% nga shitja e ardhshme e futbollistit.

“Mund të konfirmojmë se më 3 prill klubi italian Sampdoria është ankuar në FIFA ndaj klubit portugez Sporting, në lidhje me obligimet financiare të vendosura në kontratën e transferimit të futbollistit portugez Bruno Fernandes. Rasti po hetohet dhe nuk do të bëhen komente tjera”, është dhënë nga zëdhënësi i FIFA-s, transmeton “Goal.com”.

Me Manchester Unitedin i ka luajtur pesë ndeshje në Premier League. Ai i ka realizuar dy gola dhe i ka asistuar tre të tjerë.


Shtuar 6.05.2020 15:08