Trajneri i Celta-s paralajmëron Realin: Vijmë për fitore në “Bernabeu”

Trajneri i Celta Vigos, Oscar Garcia, ka paralajmëruar kryesuesit e La Ligas se në këtë ndeshje do të hyjnë vetëm për ta fituar.

Skuadra galiciane është në vështirësi të mëdha këtë sezon, sepse ndodhet në pjesën e poshtme të renditjes tabelore në La Liga duke luftuar për mbijetesë.

Kundërshtari i saj, ndërkohë, Real Madridi do të luftojë për ta ruajtur vendin e parë në renditje dhe epërsinë prej tri pikëve ndaj Barcelonës.

“Shkojmë në këtë takim me qëllim për të garuar pa hequr dorë, sepse do të luajmë për tri pikë të cilat janë po aq të rëndësishme si çdo pikë tjetër këtë sezon”, tha Garcia.

“Do të luajmë kundër njërës prej skuadrave më të mira në botë. Real Madridi është në formë të mirë dhe ne duhet t’i shmangim gabimet nga të cilat ata mund të na ndëshkojnë”, shtoi ai.

“Nuk pajtohem me barazim para ndeshjes”, këmbënguli ai.


Shtuar 16.02.2020 11:17