Skëndërbeu gjen pasuesin e Ilir Dajës

Klubi i Skënderbeut nuk ka vonuar të gjejë timonierin e ri vetëm pak ditë pas ndarjes së rrugëve me Ilir Dajën dhe tani do të jetë Julian Ahmataj trajneri i ri i skuadrës korçare.

Presidenti Ardian Takaj ka arritur akordin me Ahmatajn për t’i besuar skuadrën në një sezon të kushtëzuar edhe nga pritja e vendimit të Gjykatës Supreme Federale në Zvicër.

Ahmataj, ndoshta edhe për këtë shkak, duket emri ideal për të marrë drejtimin e Skënderbeut, pasi është një teknik që në eksperiencën e tij ka dëshmuar se mund të marrë më të mirën edhe në kushte specifike, duke menaxhuar në mënyrën më të mirë situata nga më të vështirat.

Tekniku 41-vjeçar ka arritur akordin me presidentin Takaj dhe pritet të nisë punën në fillimin e javës së ardhshme, duke nisur nga ristrukturimi i një grupi që në përfundim të kampionatit pësoi shumë largime të rëndësishme ne emra si Dejvi Bregu, Bruno Dita, Enea Koliçi dhe i riu Elezi.

Është e natyrshme që Skënderbeut në kushtet aktuale i duhet të operojë me dy plane, në varësi të vendimit që do të vijë nga Zvicra, pasi në rast të një fitoreje atje, të gjithë mund të presin rikthimin e Skënderbeut të madh, por ndërkohë që klubi mbetet në pritje, synimi është për të ndërtuar një skuadër kompetitive që të konkurrojë denjësisht në kampionat, duke respektuar emrin dhe peshën që i ka dhënë fanellës klubi korçar në dekadën e fundit./SS/


Shtuar 11.08.2020 17:08