Setien i trembet Napolit: Do ta kemi shumë të vështirë, na bënë të vuajmë edhe në ndeshjen e parë

Barcelona dhe Napoli i Hysajt më 7 ose 8 gusht do të disktutojnë një biletë në çerekfinalet e kompeticionit më të rëndësishëm për klube në Europë. Ndeshja e parë në “Sao Paolo” ka përfunduar në barazim 1-1 dhe në të dytën katalanasit do të mundohen të thyejnë kundërshtarin e tyre në një “Camp Nou” pa tifozë.

Në lidhje me këtë përballje aq të rëndësishme për katalanasit ka folur trajneri Kike Setien. Ai është i vetëdijshëm për vështirësitë që e presin Barçën përballë Hysajt me shokë. Setien shprehet se Gatuzo ka krijuar një grup të mbledhur dhe të vështirë për ta mposhtur. Ashtu si ndeshja e parë, tekniku i ekipit blaugrana parashikon një sfidë shumë të vështirë.

“Napoli është një kundërshtar i fortë, ata bënë një paraqitje shumë të mirë në finalen e Kupës së Italisë. Gatuzo ka formuar një grup solid dhe të vështirë për tu mundur. Edhe në ndeshjen e parë kundër nesh, na vunë në vështirësi. Tani kanë dhe moralin pas fitores së Kupës dhe do të jetë një sfidë kthimi shumë e vështirë. Ne duam të luajmë në ‘Camp Nou’”, u shpreh mes të tjerash Kike Setien.


Shtuar 18.06.2020 17:36