Rrëfehet De Ligt: E kam nisur si mesfushor me tipare sulmuese

Matthijs De Ligt nuk e pati të lehtë përshtatjen te “Zonja e Vjetër”, por me kalimin e kohës tregoi personalitet dhe e vuri situatën nën kontroll, edhe pse është ende një lojtar me moshë relativisht të re.

Në një prononcim për “Champions Journal”, qendërmbrojtësi holandez foli për karrierën e tij, se si kishte ndryshuar rol kur luante me moshat e reja.

“Deri në moshën 15 vjeç kam qenë mesfushor me tipare sulmuese. Kam luajtur shumë ndeshje në atë rol, kam shënuar disa gola e kam dhënë asistime. Pastaj, papritmas, më thanë se për karrierën time do të ishte më mirë të zhvendosesha më pas, si qendërmbrojtës”.

Edhe pse fillimisht roli i ri nuk e bindi, por De Ligt më vonë do të bëhej një nga më të fuqishmit në skenën botërore:

“Në fillim u mendova, nuk më pëlqente të luaja mbrojtës, por tani po kuptoj se mënyra si u rrita, si mesfushor, po më ndihmon. Jam vërtet i lumtur me zhvillimin e karrierës sime”.

20-vjeçari ka fatin që si në klub dhe në kombëtare të kuaj krah gjigantëve të mbrojtjes.

“Është fantastike të luash me Van Dijk, një nga lojtarët më të mirë në botë. Mendoj se jemi një dyshe e mirë në qendër të mbrojtjes. E njëjta gjë te Juventusi, me Bonuccin dhe Chiellinin. Janë lojtarë me përvojë të madhe, përpiqem të mësoj sa më shumë prej tyre”.


Shtuar 30.04.2020 13:20