Presidenti i Lyon akuzon Juventusin: Ushtroi presion ndaj arbitrit

Lyon humbi 2-1 në “Allianz Stadium” përballë Juventusit, por ia doli të kualifikohet në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve falë fitores 1-0 në Francë, ndërsa presidenti Jean Michel Aulas nuk e fshehu kënaqësinë për këtë arritje.

Ai foli me superlativa për skuadrën e tij dhe për Juventusin, por nuk i kurseu akuzat për bardhezinjtë, që sipas Aulas kishin provuar të vënë nën presion arbitrin gjatë gjithë ndeshjes në “Allianz Stadium”.

“Jam argëtuar shumë. Kam përjetuar momente shumë të gëzueshme në karrierë, por ky ishte vërtetë special. Ky Juventus është një skuadër mjaft e madhe dhe gjatë gjithë 90-minutëshit i kanë ushtruar një presion të jashtëzakonshëm ndaj arbitrit, por ky i fundit u tregua shumë i zoti për të drejtuar saktë ndeshjen”, deklaroi Aulas.

Lyoni nuk mungon në Kupat e Europës që prej vitit 1997, por këtë herë do t’i duhet të triumfojë në Ligën e Kampionëve, që të mund të garojë edhe sezonin e ardhshëm.

Aulas pranon se ky është një mision shumë i vështirë, ndërsa thekson se vendimi për ndaljen e kampionatit francez ishte vërtetë skandaloz.

“Kemi një mundësi minimale për ta fituar Championsin, ndaj duhet ta provojmë. Vendimi për ndërprerjen e kampionatit ishte vërtetë skandaloz dhe nuk kam për ta falur kurrë. Akoma e vuajmë atë vendim”, tha presidenti i Lyonit.


Shtuar 9.08.2020 18:40