Pipo Inzaghi reagon pas humbjes së thellë ndaj Interit: Preferoj të humbas kështu

Ditën e mërkurë, në ndeshjen me shtatë gola, Inter fitoi 5:2 në udhëtim te Benevento, në ndeshjen e xhiros së dytë të Serie A.

Benevento në ndeshjen e parë, bëri mrekullinë duke përmbysur Sampdorian, nga 2:0 në 2:3, por ndaj Interit pësuan bindshëm.

Pavarësisht humbjes 5:2, ky rezultat nuk e ka merakosur fare trajnerin e Beneventos, ish sulmuesin e Milanit, Pipoi Inzaghi.

“Kur krijoni kaq shumë raste dhe shënoni dy gola ndaj Interit, një nga skuadrat më të mira në Evropë, kjo është shenjë e forcës”, ka deklaruar Inzaghi.

“Ne e dimë se ekziston rreziku që të pësojmë gola, dhe unë jam i zhgënjyer vetëm sepse disa prej tyre mund të ishin shmangur. 28 sekonda nuk na ndihmuan në besim”.

“Unë bëra shaka se kjo është një ndeshje miqësore, sepse e di se sa i fortë është Interi, por preferoj të humbas kështu kur tregojmë se mund të sulmojmë dhe të krijojmë mundësi të mira”.


Shtuar 1.10.2020 11:08