Për Kumbullën futet në garë dhe Arsenali

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare dhe Veronës në Itali, Marash Kumbulla është ndër lojtarët më të kërkuar në merkato dhe jo vetëm në Serinë A, por edhe në kampionate të tjerë me shumë peshë.

Ditë më parë mediat italiane shkruanin se në garë për Kumbullën ishin Inter, me trajnerin Conte që e pëlqen shumë, Leipzig në Gjermani dhe Everton në Angli. Por këtyre skuadrave u janë shtuar edhe dy emra të tjerë shumë të rëndësishëm.

Në fillim është Arsenali i Mikel Artetës, që ashtu siç bën me dije e përditshmja britanike “Mirror”, është gati të bëjë një ofertë 30 milionë euro për mbrojtësin shqiptar.

Skuadra e Mikel Artetës kërkon që të përforcohet sezonin e ardhshëm dhe për ta bërë këtë kërkon lojtarë të rinj dhe të talentuar, ndaj Kumbulla do të ishte zgjidhja perfekte.

Gjithashtu së fundmi është rritur ndjeshëm edhe interesimi i Lazios, ku drejtori Sportiv Igli Tare do të kërkojë të bëjë të pamundurën për të afruar Kumbullën. Një arsye më shumë për të kënaqur edhe trajnerin Simone Inzaghi, i cili luan me tre mbrojtës, skemë të cilën aplikon edhe Verona, ku Kumbulla ka shkëlqyer.

Gjithsesi klubi veronez, të paktën sipas mediave italiane, kërkon që të përfitojë vetëm para nga shitja e Kumbullës dhe nuk kërkon që në tratativë të përfshihet ndonjë lojtar tjetër për të ulur çmimin e kartonit.


Shtuar 18.05.2020 06:59