Pas Superkupës Reali i rikthehet kampionatit, pret Sevillan në Bernabeu pa “kokat” e ekipit

Pasi u kurorëzua në Arabinë Saudite me trofeun e Superkupës së Spanjës Reali i Madridit i rikthehet kampionatit në Primera Division, për një sfidë tepër të rëndësishme, siç është edhe ndeshja me Seviljen. Të dy ekipet pozicionohen në Zonën Champions dhe ndahen nga vetëm pesë pikë në klasifikimin e përgjithshëm, sidoqoftë si Reali ashtu edhe Sevilja paraqiten në takimin e tyre hapës të fazës së dytë pas një ecurie vërtet pozitive.

Kështu “rekordmenët e kampionatit spanjoll” kanë pësuar vetëm 1 humbje në 17 sfidat e tyre të fundit në të gjithë kompeticionet dhe pas disfatës në ishull në mesin e muajit tetor në ndeshjen me Majorkën ekipi i drejtuar nga trajneri Zinedine Zidane krenohet me një ecuri pozitive prej plot 16 ndeshjesh, ndërkaq skuadra andaluziane në krahun tjetër në 17 sfidat e fundit në të gjithë aktivitetet është mundur vetëm dy herë, me klubin qipriot të APOEL-it në Nikosia në Europa League, si dhe me Villarreal-in brenda në “Ramon Sanchez Pizjuan”.

Duke marrë në konsideratë shumat marramendëse të parave që shpenzoi gjatë verës presidenti Florentino Perez për të përforcuar ekipin, problemet e shumta të Barcës në mbrojtje apo qoftë edhe mungesën e konsiderueshme të kapitenit Leo Mesi në radhët e kampionëve në fuqi u mendua se ekipi merengues do të ishte në gjendje për të zhvilluar një fazë të parë akoma më të mirë, gjithsesi për momentin Reali është në kuotë të barabartë pikësh 40, pikërisht me klubin katalanas, por gjithsesi me golaverazh inferior.

Me vetëm 1 fitore në 5 ndeshjet e fundit në të gjithë kompeticionet dhe eliminimin që në gjysmëfinale në Superkupën e Spanjës në Jeddah nga Atletiko e Diego Simeones drejtuesit e Barcelonës reaguan pa humbur shumë kohë, duke zëvendësuar Ernesto Valverden me trajnerin Quique Setien, prandaj në mënyrë të kuptueshme pritet që Barca të kthejë shpejt faqe. Trajneri Zidane e interpretoi shumë më mirë duelin e drejtpërdrejtë në Camp Nou, në “el clasico”-n e parë të sezonit, e megjithatë futbollistët e Realit nuk ishin në gjendje për të përfituar, sidoqoftë 47-vjecari francez ka përforcuar ndjeshëm prapavijën, teksa skuadra ka pësuar vetëm 1 gol në 5 sfidat e fundit në të gjithë aktivitetet.

Disfata me Majorkën është e vetmja për “los blancos” në këtë edicion dhe bashkë me Atletikon Reali ka mbrojtjen më të fortë në kampionat, gjithsesi Zinedine Zidane do të vazhdojë të ketë mungesa të rëndësishme. Përvec dyshes Asensio – Hazard që mungon prej kohësh në dyshim janë Sergio Ramos dhe Karim Benzema, megjithëse për hir të së vërtetës si kapiteni ashtu edhe sulmuesi me origjinë algjeriane janë rikthyer për të bërë stërvitje rregullisht me grupin. Mbi të gjitha ekipi paraqitet me moral të lartë, teksa mposhti Atletikon në derbi pas gjuajtjes së 11-metërshave, një kundërshtar sa i fortë aq edhe i vështirë për “los blancos”, duke patur parasysh që Reali ka fituar vetëm 1 nga 9 përballjet e fundit ndërmjet dy skuadrave madrilene, brenda kohës së rregullt.

Në Jeddah lojtari më i vlerësuar i ndeshjes ishte padyshim 21-vjecari Federico Valverde, që 5′ para penalltive frenoi në mënyrë të parregullt vrullin e Alvaro Morata-s, sidoqoftë mesfushori uruguajan tani është i shtrënguar për të vuajtur pasojat e dënimit. Ekipi i Zizusë nuk ka humbur asnjë ndeshje në shtëpi në këtë sezon, megjithëse në duelin e fundit në Santiago Bernabeu me Athletic Bilbaon Reali nuk shkoi përtej barazimit 0-0. Bardhekuqtë në krahun tjetër drejtohen nga ish-trajneri i Realit Julen Lopetegui dhe “los nervionenses” paraqiten në kryeqytet pas suksesit 5-0 në Kupën e Mbretit ndaj ekipit modest Escobedo.

Edicionin e kaluar në Primera Division Sevilja e mbylli kampionatin në vendin e gjashtë, pra tre pozicione më poshtë dhe me 9 pikë më pak se sa skuadra “merengues”, ndërsa sivjet “bardhekuqtë” kanë zhvilluar një sezon tepër pozitiv dhe për momentin renditen në vendin e katërt, shumë pranë kreut, por në kuotë të njëjtë pikësh me nënkampionët e Atletikos së Madridit. Miqtë do të zbresin në kryeqytet të çlodhur, me dëshirën për të dalë me pikë nga Bernabeu, për më tepër në kampionat Sevilja ka fituar vetëm 1 nga 4 sfidat e fundit, atë me Majorkën në ishull, por gjithsesi me 6 fitore në 10 ndeshjet e luajtura formacioni i drejtuar nga Julen Lopetegui konsiderohet si ekipi më i mirë jashtë fushe i fazës së parë në Primera Division.

Në fakt Sevilja ka grumbulluar 20 pikë larg Stadiumit Ramon Sanchez Pizjuan dhe vetëm 15 në shtëpi, për më tepër “bardhekuqtë” nuk humbasin larg Andaluzisë që nga ndeshja me Barcën në Camp Nou, pothuajse tre muaj e gjysmë më herët, sidoqoftë Lopetegui nuk do të ketë në dispozicion golashënuesin më të mirë të skuadrës, mesfushorin argjentinas Lucas Ocampos. Dy sfidat e edicionit të kaluar në kampionat “los blancos” i fituan pa pësuar as gol dhe vendasit nuk regjistrojnë 3 fitore rresht në ligën spanjolle ndaj skuadrës andaluziane që nga koha e Jose Mourinho-s, ndërsa Sevilja nuk ia del për të triumfuar brenda në Santiago Bernabeu që nga dhjetori i vitit të largët 2008, kur miqtë të drejtuar nga Manolo Jimenez thyen Realin e drejtuar nga gjermani Bernd Schuster me shifrat 4-3. Takimi ndërmjet Realit dhe Seviljes do të luhet në orën 16:00 dhe do të drejtohet nga kryesori Juan Martinez Munuera./SS/


Shtuar 18.01.2020 08:51