Mbyllet “telenovela” Eriksen, danezi zbarkon të dielën në Milano (VIDEO)

Telenovela më e rëndësishme e merkatos së dimrit, ajo e transferimit të Christian Eriksen nga Tottenham te Interi, është mbyllur me fund të lumtur, pasi klubi londinez vendosi të pranojë ofertën e milanezëve mbrëmjen e sotme.

Konfirmimi vjen nga mediat pranë klubit zikaltër, ku thuhet se Daniel Levy ka pranuar ofertën prej 15 milionë eurosh, plus 5 të tjera në formë bonusi, ndërsa Eriksen pritet të jetë që të dielën në San Siro, për të ndjekur nga tribuna ndeshjen mes Interit dhe Cagliarit.

Fantazisti danez kishte kontratë me londinezët deri në verën e këtij viti dhe kishte refuzuar vazhdimisht rinovimin e saj, ndaj drejtuesit e Tottenham u treguan të gatshëm të negociojnë shitjen e tij në janar, për të mos e humbur me parametra zero në qershor.

Shfrytëzoi mjaft mirë rastin dyshja zikaltër Marotta-Ausilio, që arritën të bindin si klubin londinez, ashtu edhe fantazistin danez, që të firmosë një kontratë 4.5-vjeçare me Interin, për një pagë prej 10 milionë eurosh në sezon.

Eriksen cilësohet si një nga lojtarët më të mirë në botë në rolin e tij dhe ardhja e tij te Interi është një sinjal i qartë se zikaltrit kanë ndërmend të tentojnë objektiva madhorë, duke filluar nga titulli kampion i këtij sezoni.

“Fërkon duart” edhe Antonio Conte, që tani do të ketë në dispozicion një fantazist të nivelit të lartë, që për më tepër ka një eksperiencë të madhe në arenën ndërkombëtare dhe pritet të ndihmojë zikaltrit në arritjen e objektivave.

Christian Eriksen është futbollisti i tretë që i bashkohet Interit gjatë merkatos së janarit, pas dy anësorëve Ashley Young de Victor Moses, që erdhën respektivisht nga Manchester United dhe Chelsea, ndonëse nigeriani ishte në huazim te Fenerbahce.


Shtuar 23.01.2020 20:54