Mbrojtësi meksikan tregohet i sinqertë: Te Roma kuptova se nuk dija të mbroja

Hector Moreno ishte blerja e parë e Ramon Monchit, pasi mori detyrën e Drejtorit Sportiv te Roma dhe pagoi 6 milionë euro në arkat e holandezëve të PSV Eindhoven, për shërbimet e mbrojtësit.

Atëherë kapiten te kombëtarja mekikane, Moreno shihej si një nga shtyllat e mbrojtjes së verdhekuqve, por eksperienca e tij italiane përfundoi pas vetëm 6 muajsh, ku luajti vetëm 6 ndeshje dhe më pas u huazua te Real Sociedad.

Në një intervistë të dhënë për mediat meksikane, mbrojtësi ka treguar se ndonëse shkoi te Roma në moshën 28-vjeçare, kuptoi se nuk dinte si të mbronte dhe mësoi vërtetë shumë në klubin e kryeqytetit të Italisë.

“Te Roma kam kuptuar se nuk dija të mbroja. Kur isha 15 vjeç shkova te Pumas dhe kuptova se nuk dija të mbroja, ndërsa kur erdha te Roma, kuptova se akoma nuk kisha mësuar të mbroja. Nuk kam mësuar kurrë kaq shumë se mësova në ato 6 muaj te Roma. Vazhdimisht më shpjegonin gjëra që kur i dëgjoja, habitesha se si kishte mundësi që nuk I dija.

Pas një eksperience një vjeçare te skuadra spanjolle e Real Sociedad, Hector Moreno u shit përfundimisht në Katar, te skuadra e Al Gharrafa-s, ku luan edhe aktualisht.


Shtuar 12.04.2020 13:52