Kuqezinjtë që aktivizohen në Spanjë i nënshtrohen analizave të koronavirusit

La Liga e ka marrë seriozisht çështjen e Koronavirusit dhe ka urdhëruar 42 ekipet profesioniste (Liga e parë dhe e dytë) që të kryejnë analizat për të gjithë futbollistët e tyre.

Presidenti Havier Tebas ua ka komunikuar skuadrave këtë vendim dhe ato duhet ta zbatojnë patjetër.

Në këtë mënyrë lojtarët e Kombëtares shqiptare, Rei Manaj (Barcelona e ka bërë testin më parë), Armando Sadiku dhe Keidi Bare (Malaga) duhet të bëjnë tamponin për të parë nëse janë prekur nga koronavirusi.

Në fakt, disa skuadra e kishin marrë vetë këtë vendim, ndërsa të tjera janë mjaftuar vetëm me karantinimin e futbollistëve.

Rezultatet do të dalin gjatë kësaj jave dhe ekziston rreziku qe numri i lojtarëve të prekur të rritet ndjeshëm.

Valencia me 35% të skuadrës pozitive është ajo që shqetëson më shumë në këto momente.

Nga ana tjetër Tebas është i bindur se sezoni futbollistik do të luhet deri në fund dhe La Liga nuk ka ndërmend të marrë masa ekstreme për anulimin apo pezullimin përfundimtar.


Shtuar 17.03.2020 11:25