Koronavirusi prek edhe futbollin në Shqipëri, konfirmohen tre raste

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka ka konfirmuar tre raste me koronavirus në futbollin tonë.

Në një prononcim për emisionin “Në Fokus” në “WT TV”, kreu i FSHF-së theksoi se një p[rej të prekurve është pjesëtari i FSHF-së, Florian Riza, ndërsa emrat e tjerë nuk i bëri të ditur për arsye privatësie.

“Ne kemi krijuar një rrjet për të marrë informacione nga të gjithë, jo nga vetëm zyrtarët e futbollit, por edhe nga skuadrat. Nga informacionet që kemi, janë 3 raste që kanë rezultuar pozitivë, dy prej të cilëve e kanë kaluar virusin dhe tashmë janë negativë, ndërsa njëri po vazhdon të jetë i infektuar.

Emrat? Një është Florian Riza dhe dy të tjerë që nuk ka rëndësi të them emrat. Janë nga bota e futbollit”, – u shpreh Armand Duka, i cili një ditë më parë deklaroi se futbolli shqiptar mund të marrë edhe kredi afatgjatë dhe të zbutur për të kaluar krizën.


Shtuar 11.04.2020 14:24