Kanë ndarë më dysh botën e sportdashësve, Ronaldo dhe Messi bashkë në të njëjtin ekip

Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi kanë ndarë më dysh botën e sportdashësve, por për adhuruesit më të mëdhenj të këtij sporti vjen mundësia që të shohin dy yjet të luajnë në një skuadër së bashku.

Nga Anglia kanë nisur thashethemet se për në muajin tetor të këtij viti po bisedohet për të zhvilluar një miqësore bamirësie në stadiumin “Wembley”, ku protagonist do të jetë një skuadër e përbashkët e formuar nga lojtarë të Juventusit dhe Barcelonës.

Pra, skuadrat e Ronaldos dhe Mesit, e cila do të sfidojë një formacion të përbërë nga yjet e skuadrave të Manchester United dhe Liverpoolit.

Pa dyshim që nëse diçka e tillë do të konfirmohej zyrtarisht, të shohësh CR7-ën dhe “Pleshtin” në të njëjtin ekip do të ishte diçka mitike, historike, dëshira e qindra milionave tifozëve.

Dhe ndoshta në këtë mënyrë do të bëhej realitet edhe “profecia” e Lionel Messit, e pranuar hapur në një prej intervistave të tij të fundit: “Nëse do të luaj me Ronaldon në një skuadër besoj se po, do isha gati t’ia pasoja topin, t’ia jepja pasimin e fundit”.


Shtuar 3.04.2020 10:22