Ish-ylli i Milanit dhe PSG-së, nënshkruan me skuadrën e Serie B

Reggina siguroi ngjitjen në Serinë B këtë vit, pas ndërprerjes së parakohshme të kampionatit për shkak të koronavirusit, ndërsa për sezonin e ardhshëm presidenti Luca Gallo u ka bërë një “dhuratë” mjaft të bukur tifozëve të skuadrës.

Kështu ditën e sotme ai ka njoftuar se ka nënshkruar një kontratë tre vjeçare me sulmuesin e njohur francez Jeremy Menez, ndërsa më tej ka zbuluar edhe datën e mbërritjes së tij në Kalabri për t’u prezantuar zyrtarisht si futbollist i Regginës.

“Futbollisti francez Jeremy Menez është një futbollist i Regginës, pasi ka firmosur me ne një kontratë 3-vjeçare. Më datën 26 do të mbërrijë në aeroportin e Catanias, ndërsa po në të njëjtën ditë do të udhëtojë drejt Kalabrisë. Të nesërmen, më 27 do të bëjmë prezantimin zyrtar, por edhe takimin me tifozët në dyqanin e skuadrës. Kjo është një dhuratë e imja për tifozët e mrekullueshëm të Regginës. Mos harrojmë që Menez ka veshur fanellën e skuadrave si Roma, Milan, PSG dhe kombëtares franceze”, u shpreh Gallo.


Shtuar 24.06.2020 07:19