Ish-trajneri i Tottenham komenton emërimin e Setien te Barcelona

Ish-trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino, beson se Quique Setien do ta ketë mundësi ta bëjë realitet ëndrrën e tij si trajner i Barcelonës, përderisa e lavdëroi edhe Ernesto Valverden për punën që ai e kishte bërë me katalonasit.

Ish-trajneri i Real Betisit, Quique Setien, u emërua trajner i Barcelonës pas shkarkimit të Ernesto Valverdes, i cili kishte qenë në presion të madh që nga eliminimi i Barcelonës nga Atletico Madridi në Superkupën e Spanjës.

Ndër kritikat më të mëdha të drejtuara kah Valverde gjatë kësaj kohe kanë pasur të bëjnë me stilin e lojës të Barcelonës. Në tentim për ta ndryshuar këtë, klubi e ka sjellë Setienin në klub, pasi që ai njihet për dashurinë e tij për stilin e lojës që e bëri të njohur Johan Cruyff e Barcelona.

“Barcelona është njëra ndër klubet më të mëdha në botë dhe natyrisht që tani, me një trajner të ri, të gjithë presin që kjo të vazhdojë edhe më tutje”, ka thënë Pochettino, në një intervistë të dhënë për La Liga TV.

“Valverde bëri punë fantastike. Ata janë në krye të La Ligës dhe natyrisht që tani Quique Setien e ka një sfidë të madhe para vetes. Ai gjithmonë e ka treguar dashurinë e tij të pabesueshme për Johann Cruyffin, për stilin e lojës së Barcelonës”.

“Dhe po, mendoj se është një mundësi e mrekullueshme për të që ta përjetojë ëndrrën e vet”.

Ndërkohë, Pochettino është vetë në kërkim të një klubi për ta vazhduar karrierën si trajner, pasi u shkarkua nga Tottenhami. Ai ka bërë të ditur se i konsideron Premierligës dhe La Ligën dy ligat më të mira në botë dhe dëshiron ta vazhdojë karrierën në ato.


Shtuar 16.01.2020 14:53