Hysaj i rëndësishëm për Napolin me Gattuson në stol, gati rinovimi

Jetë e re në Napoli për Elseid Hysajn. Kura “Gattuso” ka funksionuar, i ka bërë mirë skuadrës dhe në veçanti mbrojtësin anësor shqiptar. Shkodrani ishte thuajse i larguar nga skuadra napolitane me Carlo Ancelottin trajner (vetëm tri ndeshje nga minuta e parë), ndërsa sot është kthyer pikë referimi në mbrojtje, aq sa Gattuso e ka aktivizuar titullar në 9 nga 13 takimet e zhvilluara.

Një vlerësim që mund të ndryshojë gjithçka, edhe të ardhmen e 26-vjeçarit kuqezi, që me Gattuson ka rigjetur aktivizimin në vazhdimësi dhe sigurinë, pas një periudhe kur ishte i lënë mënjanë nga Ancelotti.

Sipas “Il Mattino”, klubi i Napolit po mendon rinovimin e kontratës me shkodranin, me praninë e të cilit në formacion skuadra ka më shumë ekuilibra në fushë.

Në analizën e “Il Mattino” shkruhet se nuk është e lehtë sot të gjesh në treg një anësor cilësor me vlerë 20-25 milionë euro (kaq vlerësohet Hysaj) dhe pas marrëdhënieve të ngrira gjatë verës së kaluar, duket se po shkohet drejt rinovimit të kontratës, me aktualen që përfundon në verë të vitit të ardhshëm. Nëse Napoli nuk e zgjidh çështjen e Hysajt pa nisur sezoni i ri, mund ta humbasë pas një viti me parametër zero.


Shtuar 9.03.2020 14:55