Homazhet për Kobin dhe të bijën, Vanesa mban fjalimin që përloti botën (VIDEO)

Ditën e djeshme janë mbajtur homazhet publike për humbjen e legjendës së basketbollit, Kobi Brajant dhe vajzës së tij Gianna. Homazhet janë mbajtur në “Staples Center” në Los Angeles dhe në hapjen e ceremonisë bashkëshortja e basketbollistit, Vanesa Brajant, ka mbajtur një fjalim që padyshim i ka prekur të gjithë të pranishmit.

Ajo ka folur për Kobin dhe Giannën, duke treguar cilësitë e tyre më të mira dalluese, duke kujtuar momentet më të bukura pranë tyre. Po ashtu mes lotësh Vanesa ka treguar se tanimë nuk do arrijnë t’i realizojnë planet që kishin së bashku.

“Tani nuk do mundemi ta shohim Gigin duke shkuar në gjimnaz me Natalian, dhe ta pyesim se si i shkoi dita, nuk do kemi mundësi ta mësojmë si të ngasë makinën, nuk do kem mundësinë t’i them sa e mrekullueshme duket në ditën e saj të dasmës, nuk do e shikoj të kërcejë me të atin, nuk do e shikoj të kërcejë me mua apo të ketë fëmijët e saj”, është shprehur Vanesa.

Përsa i përket Kobit, me një dhimbje të madhe, ajo ka treguar se si bashkëshorti i kishte ndryshuar jetën, si ai ishte gjithmonë aty për të. Ajo tregoi sa shumë i mungon dhe planet që kishin bërë për t’u plakur bashkë.

Në fund ajo i kërkoi bashkëshortit të kujdeset për të bijën, derisa një ditë të bashkohen në parajsë.

“Zoti vendosi që ne të mos jemi në këtë botë së bashku. Zemër, kujdesu për Gigi-n tonë dhe unë do të kujdesem për Nani-n, Bibi-n dhe Coco-n. Ne vazhdojmë të jemi skuadra më e mirë. Ju duam dhe na mungoni ti dhe Gigi. U prehshit të dy në paqe dhe kënaquni në parajsë, derisa të takohemi sërish një ditë. Ju duam të dyve dhe do të na mungoni përgjithmonë. Mami”, tha Vanesa.


Shtuar 25.02.2020 07:23