Dy lojtarë “tradhtuan” Bayernin në finalen e 2012-ës me Chelsean, nuk gjuajtën penalltitë

Finalja e Ligës së Kampioneve e vitit 2012 do të kujtohet gjithmonë nga tifozët e Bayern Munchen, të cilët panë se si skuadra e tyre u mund me penallti nga Chelsea në një ndeshje të cilën e kishin dominuar dhe ku ishin favoritë.

Vetë ish-trajneri i bavarezëve, Jup Hejnkes, ka kujtuar atë sfidë që u kthye në dramë e që bën gjithmonë që ndeshje si e sotmja në Ligën e Kampioneve që shohin përballë njëra-tjetrës të dy skuadrat, të përjetohet me shumë emocione.

“Ne ishim qartësisht skuadra më e mirë në atë ndeshje, por dukej se nuk ishim ende gati për të fituar. Dy prej gjuajtësve të zakonshëm të penalltive u tërhoqën në momentin e fundit”, ka zbuluar trajneri për “Frankfurter Rundschau”, por pa bërë publik emrat e atyre që “tradhtuan” në ato momente.

Roben, Kros, Boateng, Timoshuk, Van Bujten dhe Kontento ishin ata futbollistë që nuk gjuajtën nga pika e bardhë e penalltisë në ato seri që i dhanë trofeun Chelseat.

Në Gjermani spekulohet se emrat që u tërhoqën ishin Kros dhe Roben, lojtarë të cilët kishin ekzekutuar penallti gjatë gjysmëfinaleve përballë Real Madrid.

Holandezi kishte humbur një 11-metërsh në atë finale kundër Chelseat e me sa duket nuk dëshironte të mbante më shumë përgjegjësi mbi vete.


Shtuar 25.02.2020 20:15