Duka: Jam i lumtur për Hysajn, e gjithë Shqipëria ishte me Napolin përveç Edi Ramës

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një deklaratë për Radio Kiss Kiss.

Duke folur në cilësinë e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, kreu i FSHF ka komentuar zhvillimet e fundit sa i përket vazhdimit të këtij sezoni në Champions League, më konkretisht sa i përket Napolit të Elseid Hysajt.

“Dje kemi marrë vendime të rëndësishme për sa i takon vijimësisë dhe përmbylljes së Champions League dhe Europa League, si për datat e sfidave ashtu edhe për stadiumet ku do të luhen ndeshjet. E vetmja që mbetet e papërcaktuar është nëse do të luhet me tifozë apo me dyer të mbyllura, si në Gjermani dhe në Portugali.
Megjithatë, ekziston mundësia të kemi tifozë në stadiume, por gjithçka do të varet nga mënyra se si do ndryshojë situata e pandemisë, gjëra për të cilat nuk mund të vendoset tani. Nuk mund të pretendojmë që t’i mbushim stadiumet plot, është ende shumë herët, por nëse na jepet drita jeshile për të hapur dyert mund të synojmë të kemi 30% ose maksimumi 40% të kapacitetit të stadiumeve me tifozë.

Barcelona-Napoli në fushë neutrale? Të gjitha ndeshjet e mbetura të Champions League do të luhen në Lisbonë, Guimaraes dhe Oporto. Sigurisht, Barcelona dëshiron të luajë në ‘Camp Nou’, ndërsa për ndeshjet e tjera të fazës çerekfinale është vendosur për vendet se ku do të luhen ndeshjet.Kupa e Italisë? Hysaj bëri një paraqitje të mirë ndaj Interit, ndërsa mbrëmë fitoi trofeun me Napolin. Jam shumë i lumtur për futbollistin shqiptar, por më e rëndësishme është që fitoi skuadra. E gjithë Shqipëria ishte me Napolin, me përjashtim të kryeministrit Rama, i cili është tifoz i Juventusit dhe nuk besoj se ka mbetur i kënaqur me rezultatin e finales“, deklaron Duka për radion napolitane.


Shtuar 18.06.2020 15:51