Dechamps këshilon Giround: Largohu nga Chelsea

Francezi e gjen veten në skuadrën e Chelseat si opsion të tretë pas Tammy Abraham dhe Michy Batshuayit, përderisa i kanë mbetur vetëm edhe gjashtë muaj në kontratën e tij aktuale në Stamford Bridge.

33-vjeçari ishte lënë në stol për fitoren me rezultat 2:0 të Chelseat kundër Nottingham Forestit në rundin e tretë të FA Cup të dielën, mirëpo ai doli në fushë pas ndeshjes për t’i përshëndetur tifozët – veprim që u vlerësua si lamtumirë.

Lampardi raportohet se është në kërkim të një sulmuesi të ri në afatin kalimtar të janarit dhe kjo bën që trajneri i Francës të jetë i bindur se Giroud duhet të largohet nga Chelsea.

“Mendoj se po, duhet të largohet. Ai e di shumë mirë se nuk mund të jetë i kënaqur me aq pak minuta lojë. Unë nuk po flas për karrierën e tij me Kombëtaren e Francës, por vetëm për të”, ka thënë Deschamps.

“I takon atij ta zgjedhë destinacionin e radhës. Fola me të kur ishim bashkë në nëntor, por ai e dinte se çka ishte më e mira për të edhe më parë. Ai nuk është i lumtur për momentin, shkaku i minutave të lojës. Nuk është faji i tij, ai po vuan nga kjo situatë”, përfundoi Deschamps.


Shtuar 7.01.2020 09:52