Bruno Dita: Kam dy oferta, asnjë kontakt me Skënderbeun për rrogat

Mesfushori i Skënderbeut, Bruno Dita, po përgatitet për vijimin e sezonit me shpresën që të kthehet në fushë sa më shpejt me korçarët.

Por ai e pranon se nuk do të jetë e thjeshtë që gjithçka të vijojë normalisht pas një shkëputje të tillë.

Në një prononcim për RTSH, Dita tregon ditët e tij të karantinës dhe si ka mbajtur formën, ndërsa nuk e fsheh që ka marrë oferta gjatë kësaj periudhe, ashtu si edhe faktin që nuk është paguar nga Skënderbeu por vetëm ka përfituar paratë nga ai buxheti i caktuar nga FSHF.

Gjendja – “Normalisht që do të ndikojë, kështu e mendoj, por shpresojmë që të mos zgjatë edhe më shumë se do të jetë përshtatja edhe më e vështirë. Ishim në moment të mirë si ekip dhe mendoj se ai ritëm është i vështirë të kapet në këto 10 ndeshje që kanë mbetur. Shpresojmë të kalojnë sa më shpejt këto ditë dhe të fillojmë stërvitjen se na mungon shumë futbolli”.

Stërvitja – “Jam munduar që të mbaj dietë se po vure peshë është e vështirë të kapësh ritmin e duhur. Me dietë dhe kam dalë për xhiro me biçikletë, me ushtrime force në shtëpi, pak vrap, sa kam mundësi kam bërë. Por është tjetër stërvitja individuale dhe tjetër ajo me grupin. Çdonjëri nga ne, sadopak të kemi bërë, do kemi shumë probleme që të kapim ritmin që duhet për ndeshjen”.

Rrogat – “Për momentin nuk kemi folur me drejtuesit fare, nuk kemi pasur asnjë kontakt, për momentin kemi marrë vetëm atë shumën nga federate. Me klubin kur të fillojmë stërvitjen, do të ulemi të bisedojmë, nuk e di për momentin si do të shkojë kjo gjë”.

Ofertat – “Në këto momente nuk bëhet fjalë për merkato, vetëm kur të fillojë kampionati, por realisht kam pasur dy oferta nga klube, nuk i bëj të ditura për momentin. Por kur të kalojë kjo situatë, kur t’i vijë koha merkatos, do të merremi me të”.


Shtuar 27.04.2020 19:02