Arteta konfirmon një largim të mundshëm të Mustafit këtë muaj

Trajneri Mikel Arterta e ka konfirmuar se Shkodran Mustafi mund të largohet nga Arsenali qysh këtë muaj, përkundër problemeve me lëndime që i kanë pasur Topçinjtë së fundi në repartin e mbrojtjes.

Qendërmbrojtësi gjerman me origjinë shqiptare nuk ka luajtur për Arsenalin që nga ndeshja e parë e Mikel Artetas si trajner i klubit londinez, kur Mustafi u fajësua për rolin e tij në golin e fitores të shënuar nga Chelsea muajin e kaluar.

Galatasaray është përfolur se është i interesuar për 27-vjeçarin. Madje, disa mediume turke raportojnë se agjenti i futbollistit ka udhëtuar në Turqi për ta finalizuar një marrëveshje për transferim.

Përderisa Arsenali është duke u përballur me mungesë të lojtarëve në repartin e mbrojtjes shkaku i lëndimeve, Arteta nuk e ka përjashtuar mundësinë që Mustafi të shitet këtë muaj.

“A mund ta përballojmë? Në një situatë ideale do të thosha jo. Nëse transferimi ndodh, ne duhet të gjejmë diçka shpejt”, ka thënë Arteta.

Arteta është duke u përballur me probleme në mbrojtje, pasi që Calum Chambers, Sead Kolasinac, Kieran Tierney dhe Hector Bellerin janë të gjithë të lënduar.


Shtuar 16.01.2020 13:07