U arratis nga burgu, italianët kapin shqiptarin në festën e ditëlindjes

Policia italiane mbrëmë i ka dhënë fund aventurës së një shqiptari i cili ishte arratisur nga burgu në Carinola, më datë 26 maj 2019.

I arrestuari është Ervis Markja 27 vjeç, i cili ishte prangosur për akuzat e vjedhjes së apartamenteve dhe të rezistencë ndaj zyrtarëve publikë.

Markja arriti të arratiset nga burgu së bashku me mikun e tij Adriatik Gega (ende në arrati), duke prerë hekurat e qelisë dhe duke ikur me ndihmën e çarçafëve, shkruajnë mediat italiane.

I arratisuri nga Carinola u gjurmua dhe ai ndodhej pranë Napolit, në një vend ku ish e dashura e tij festonte ditëlindjen.

Agjentë të policisë ishin kamufluar si të ftuar, duke bërë edhe arrestimin e tij. Operacioni, i planifikuar deri në detajet më të vogla, u krye pas një aktiviteti hetimi të detajuar, intensiv dhe të pandërprerë i drejtuar nga Prokurori i Republikës së Santa Maria Capua Vetere dhe i deleguar në Policinë Gjyqësore.

Policia kishte studiuar me kujdes lidhjet që Markja kishte me botën e jashtme. Markja kishte arritur të arratisej, duke vënë në lëvizje njohjet e tij me shqiptarë të tjerë që jetonin në Campania. Pas arrestimit, ai u dërgua në burgun e Napolit. /albeu.com/


Shtuar 27.01.2020 15:20