Sinqeriteti i kandidatit të KQZ shkakton të qeshura në sallë: Erdha për shpërblimin!

Sinqeriteti është një virtyt shumë i rrallë në ditët e sotme.

Kandidati për KQZ, Kamerion Salillari, u tregua i sinqertë dhe u shpreh sot para trupës së vlerësimit se një nga arsyet që vendosi të garonte është edhe paga e mirë.

“Unë jam Kamerion Salillari. Ajo që më shtyu të kandidoja është se besoj se u ndryshua ligji, pashë të nevojshme se besoj se kam arritur pjekurinë profesionale.

Një shtysë tjetër është edhe pjesa e shpërblimit, besoj se kjo do të ndihmonte përmirësimin nga ana social ekonomike familjen time. Besoj se është shumë normale”.

Pas disa të qeshurave në sallë, përfaqësuesi i PS-së, në KQZ, Damian Gjiknuri u shpreh:

“Je i vetmi që e the këtë. Realisht. Është atraktive paketa ekonomike që ofrohet. Se të gjithë e kanë se duan të sakrifikojnë, jo më pëlqeve realisht”. /albeu.com/


Shtuar 30.09.2020 17:46